OP-ED Editoriale

Superkupa, të cilës dikush u kujdes t’ia humbë shkëlqimin

Liman Gashi
Liman Gashi

Autori është gazetar shumëvjeçar i sportit dhe redaktor në SHQIP.com

Publikuar:

Në prag të fillimit të turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll, në pjesën veriore të vendit, situata u tensionua, megjithëse, as më herët nuk ishte shumë mirë. Situata që mbretëron atje, tash e sa vjet, ka bërë që kënga e Shkurte Fejzës, “Jo nuk ndahet Mitrovica” të këndohet pothuaj në çdo ndeshje të basketbollit.  

Pikërisht situata aktuale, duhej, në fakt edhe pritej, të ishte rrethanë e mjaftueshme që ndeshja finale e Superkupës, ndërmjet Sigal Prishtinës e Trepçës të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke lënë anash absolutisht çdo rivalitet (në aspektin negativ), inat e kundërshti ndërmjet dy tifo-grupeve, “Plisave” e “Torcidës”. Natyrisht pritej të këndohej edhe “Jo nuk ndahet Mitrovica”.

Në këtë frymë ishte edhe thirrja e KB Trepça, një ditë para ndeshjes.

“Vendi ynë asnjëherë s’ka pasur nevojë më  shumë se sot për unitet. Andaj edhe ne si klub, i ftojmë tifozëritë e të dy ekipeve që të na bashkëngjiten në këtë thirrje.

E dimë se rivaliteti në mes Trepçës dhe Prishtinës gjithmonë  ka qenë, është dhe kurrë nuk do të vdesë, po ashtu edhe rivaliteti në mes të ‘Torcidës’ dhe ‘Plisave’ asnjëherë nuk do të shuhet, por sot vendi ynë dhe tifozëritë tona si asnjëherë më parë kanë nevojë të jenë të përmbajtura dhe në përkrahje të Policisë së Kosovës.  Të mos shkaktojmë probleme, sepse sot, më shumë se çdo herë vendi na thërret. Do të ketë kohë edhe për rivalitet, sot duhet të fitojë Kosova”, thuhej në thirrjen e skuadrës mitrovicase.

Por, ajo që ndodhi të dielën ishte, e tmerrshme, e gërditshme, e turpshme!

Që nga fillimi, e sidomos në përfundim të pjesës së parë, sjelljet e tifozëve nuk treguan rivalitet (për përkrahje as që bëhet fjalë), por urrejtje, primitivizëm e mbi të gjitha dhunë, deri në atë shkallë sa u rrezikua jeta e njerëzve. Policë e tifozë të lënduar, që për fat të mirë kaluan vetëm me lëndime. Pati demolime, kërcënime, fyerje…

Karriget fluturonin njëra pas tjetrës, por falë Zotit asnjëra nuk e qëlloi cakun e atyre që i gjuanin.

Sidoqoftë, ndeshja u zhvillua (pjesa e dytë pa praninë e shikuesve) dhe në fund Sigal Prishtina e stolis me trofeun e Superkupës, trofe të cilit dikush u përkujdes t’ia humbë shkëlqimin.

A ka mundur të evitohet diçka e tillë?
Organizatorët, Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Sigal Prishtina thanë që i kanë marrë të gjitha masat e duhura. Nga policia thanë se ka pasur numër të mjaftueshëm të policëve, ndërsa ka pasur edhe pjesëtarë të sigurimit privat.

Por, diçka nuk funksionoi.

Kohë më parë, FBK pati marrë vendim që mos të lejohen në palestra tifozët e skuadrave mysafire. Vendim ky i cili nga pjesa më e madhe e atyre që e përcjellin basketbollin u kritikua.

Ajo që ndodhi të dielën, jo vetëm që i jep të drejtë FBK-së, por, e detyron të mendojë edhe për hapa tjerë, madje shumë më të rëndë. Basketbolli, rezultati, fitorja, titulli… nuk ka asnjë vlerë nëse larg qoftë na ndodh të kemi vetëm një viktimë.

Sigurisht, “Jo nuk ndahet Mitrovica”, do të vazhdojë të këndohet edhe më tutje, por dhashtë Zoti që karriget në palestrat tona ta kenë pasur fluturimin e fundit. 

/Shqip.com