Kulturë

“Sunny Hill Festival” këtë vit mbahet edhe në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht

Para disa ditësh u njoftua se eventi muzikor “Sunny Hill” do të zhvendosej nga Prishtina në Tiranë.

Por, sot përmes një njoftimi të përbashkët të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës dhe organizatorëve të Sunny Hill Festival, kanë bërë e ditur se festivali po i rikthehet sërish kryeqytetit në datat siç edhe ishte planifikuar të mbahej 4,5,6 dhe 7 gusht.

Mirëpo, ndryshe nga vitet tjera këtë vit pos Prishtinës, “Sunny Hill” do ta ketë edhe një edicion në Tiranë.

“Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht”, thuhet në deklaratë.

“Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë”.

Ndërsa, në “Sunny Hill Festival” do të performojnë emra të njohur si: Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë./Shqip.com