Sulmuan udhëheqësit e “Trepçës”, Prokuroria kërkon paraburgimin ndaj tyre

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e paraburgimit për të dyshuarin R.I., për shkak se dyshohet që ka kryer veprën penale “sulmi” dhe për të dyshuarit B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., për shkak se dyshohet që kanë kryer veprat penale “lëndimi i lehtë trupor” dhe “sulmi ndaj personit zyrtar”, përcjell Shqip.com.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e drejtorit të ri në Kombinatin “Trepça”, nën udhëheqjen e ish-drejtorit R.I., punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar me ç’rast i dyshuari, R.I., e ka sulmuar fizikisht drejtorin e ri E.A.

Kurse, të dyshuarit B.S., B.I., dhe Z.I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E.A., dhe B.H., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe po ashtu kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast.
“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi caktimin e drejtorit të ri në Kombinatin Trepça, nën udhëheqjen e ish-drejtorit R.I., punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar, me ç‘rast i dyshuari – ish drejtori R.I., e ka sulmuar fizikisht drejtorin e ri E.A.
Ndërsa, të dyshuarit B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E.A., dhe B.H., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore, dhe po ashtu këta të dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast, me ç`rast zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Ndryshe, të hënën, kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani dhe drejtori i Administratës së kësaj ndërmarrjeje, Besim Haxhiu, janë sulmuar fizikisht nga një grup njerëzish.
Abdurrahmani e kishte akuzuar ish-kryeshefin e Trepçës, Rafet Ibishin, për këtë sulm, duke thënë se kishte për qëllim dëmtimin e pronave të ndërmarrjes.
“Ne jemi sulmuar fizikisht në zyrat tona të punës nga ish kryeshefi, Rafet Ibishi dhe një grup i tij mbi 50-60 persona që kanë hyrë në objekt dhe mbi 100 persona që kanë qenë jashtë objektit”, ka thënë ai në konferencë për shtyp.
Pas këtij incidenti, Ibishi është suspenduar nga një pozitë tjetër që e mbante në këtë ndërmarrje.
Menaxhmenti i Trepçës e ka justifikuar këtë vendim si masë disiplinore pas sulmit fizik ndaj ushtruesit të tanishëm të detyrës së kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmanit, si dhe drejtorit të administratës, Besim Haxhiut.