Lajme

Sulmi ndaj TCH, Policia ofron shumën e majme të parave si shpërblim për kapjen e autorit

Policia e Shtetit në Shqipëri ka prezantuar shumën e majme që do të ketë si shpërblim personat që ofrojnë informacione kredibile për kapjen e autorëve të sulmit ndaj Top Channel në Tiranë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Policia e Shtetit ku thuhet se ata kanë vendosur 100 mijë euro si shpërblim.

“Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Kujtojmë se në mëngjesin e së hënës ka mbetur i vdekur 60-vjeçari, Pal Kola i cili ishte roje në Top Channel.

Sipas njoftimit të Policisë, në kryerjen e sulmit janë përdorur kallashnikovë dhe nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Ndërsa, makina e tipit Range Rover  me të cilën kanë udhëtuar autorët e krimit,  pretendohet që është e vjedhur në Shkodër dhe është gjetur e djegur në autostradën Durrës-Rrogozhinë.

/Shqip.com