Suedia konfirmon aplikimin për NATO

Suedia do të aplikojë për anëtarësim në NATO, ka bërë me dije kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson në një konferencë për media në Stokholm, raporton BBC.
Ajo filloi duke konfirmuar se “Suedia do të aplikojë për anëtarësim në NATO, duke përmbysur një histori të gjatë të neutralitetit ushtarak”.
Kryeministrja shton se “është e bindur se për këtë ka mbështetje nga populli suedez”.
“Suedia do të jetë në një pozitë të cenueshme ndërkohë që aplikimi i saj në NATO është duke u përpunuar”, tha ajo.

“Ne presim që nuk duhet të kalojë më shumë se një vit” që 30 anëtarët e aleancës të ratifikojnë unanimisht kërkesën për anëtarësim të Suedisë”, shtoi Andersson.
Po ashtu, në konferencën për shtyp foli edhe Ulf Kristersson, kreu i partisë opozitare “Moderata”.
Ai gjithashtu mbështet vendimin për të aplikuar për anëtarësim në NATO.
“Ky është një vendim historik”, kishte thënë ai.
“Nuk bëhet fjalë për politikë partiake, por për marrjen e përgjegjësisë së përbashkët për sigurinë e vendit”, shtoi kreu i opozitës, Kristersson.
Përndryshe, Suedia dhe Finlanda kishin hapur diskutimet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake qysh në muajin mars.
Se a do të anëtarësohen të dyja, njëra apo asnjëra, mbetet të shihet. /Shqip.com