Lajme

Studentët e FSHMN-së po mërdhinë në fakultet – “ngrohje ka, por s’e lëshojnë”

Punimet në FSHMN.

Një pjesë e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” po përballet me mungesën e ngrohjes nëpër sallat e ligjëratave.

L.M., studente në Departamentin e Matematikës në këtë fakultet, për Shqip.com, ka treguar se që nga momenti kur ka pasur ulje të temperaturave, e kanë këtë problem.

“Problemi është se nga momenti që ka filluar të ftohet koha në FSHMN, në katin e parë edhe në katin e 3-të ku është Departamenti i Matematikës nuk i lëshojnë nxemjet, e kam shikuar katin e dytë që është i filologjikut, të gjitha janë të lëshuara si dhe kam rastis nëpër banjot që i kanë ndërtu tani të reja vetëm në pjesët ku janë drejtimet shkencore nuk ka ujë të nxehtë e në filologjik po”, tha ajo.

Tutje, ajo theksoi se për këtë problem kanë bërë edhe ankesë në Këshillin Studentor – por që kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Kam shkuar edhe në Departament të Fizikës edhe ata ishin me nxemje të lëshuara por te i Matematikes jo. Fakti që as nuk kemi salla të mjaftueshme ku Departamenti i Biologjisë është në bodrum të Filologjikut në atë mjerim, në katin e parë është një pjesë si koridor i madh me karrika dhe banka ku rrijnë studentët të mësojnë sepse nuk kemi vend tjetër aty janë disa nxemje po asnjëra nuk punon”.

“Nuk e kuptova pse kur dy fakultetet janë të kapura në filologjik edhe me kalu nëpër koridoret e tyre janë të lëshuara e tek ne jo. E bëra ankesën edhe te Këshilli Studentor i FSHMN-së, por përsëri njëjtë”, theksoi ajo.

Redaksia ka dërguar pyetje në njësinë përkatëse akademike lidhur me këtë çështje, por që përgjigje nuk ka pasur.

Po ashtu, studentja e UP-së është ankuar edhe për punimet lidhur me furnizim të ngrohjes pasi që thotë se ato tashmë i kanë lënë në gjysmë.

“Erdhën kinse për t’i rregulluar nxemjet edhe vetëm i kanë hapur vendet, e kanë lënë të tillë që 2 javë ndoshta i ka”, shtoi ajo.

Shqip.com ka siguruar edhe disa pamje nga vendi ku janë duke u kryer punimet në këtë fakultet.

Punimet në FSHMN.
Punimet në FSHMN.