Statistikat: Pse në Shqipëri më të rrezikuar janë prokurorët se gjyqtarët
Përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë nuk janë aspak imunë ndaj krimit. Sipas të dhënave të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor rezulton se në sistemin e drejtësisë shqiptare më të rrezikuar janë prokurorët se gjyqtarët.
Gjatë vitit 2022, përballë Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve janë paraqitur 8 kërkesa nga magjistratët të cilët kanë argumentuar se i rrezikohej jeta për shkak të detyrës.
Mes tyre, një kërkesë ishte për herë të parë, shtatë të tjera për zgjatje të afatit të mbrojtjes, pasi e kishin përfituar atë më herët.
Në 8 rastet e shqyrtuara nga anëtarët e KLP, një prej tyre ka qenë vlerësim me urgjencë, duke konstatuar se rreziku për jetën kishte qenë i çastit dhe prokurori është marrë në mbrojtje nga policia.
Të dhënat tregojnë se aktualisht me mbrojtje janë 6 prokurorë dhe sipas vlerësimit të KLP, ata janë pranë prokurorive më të mëdha në vend. Elbasani mban numrin më të lartë.
Nga ana tjetër, gjatë vitit 2022, pranë Komisionit të Mbrojtjes së Gjyqtarëve është paraqitur vetëm një kërkesë për mbrojtje, e cila është miratuar.
Për shkak të rolit hetimor ndaj veprave të ndryshme penale dhe përpilimit të dosjeve, prokurorët shihen nga krimi si pengesë gjithnjë e në rritje ndaj aktivitetit të tyre.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla paralajmëroi të hënën se autoritetet e sigurisë, po mendojnë të ndryshojnë strategji për mbrojtjen e magjistratëve, duke rritur rolin e SHISH dhe bërë disa ndryshime që të reflektojnë mbrojtjen që ligji u jep.
/Shqip.com