Lajme

Specialja: Numri i viktimave që do të jenë pjesë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka arritur në 143

Ish-krerët e UÇK-së
Ish-krerët e UÇK-së

Dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë kanë njoftuar se numri i viktimave që do të marrin pjesë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka arritur në 143.

Kjo pasi që të mërkurën trupi gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët ka marrë vendim që edhe tre anëtarë të familjes së njërës prej viktimave që thuhet se ka ndërruar jetë së fundmi, të jenë pjesë e gjykimit.

“Më 4 tetor 2023, Trupi Gjykues në çështjen Thaҫi dhe të tjerët miratoi kërkesën e avokatit të viktimave për të lejuar tre anëtarë të ngushtë të familjes të njërës prej viktimave, e cila ka ndërruar jetë së fundmi, të marrin pjesë si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor”, thuhet në njoftim. Rrjedhimisht, thuhet se numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore ka arritur në 143.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

/Shqip.com