SPAK zbulon skemën e kontrabandës së cigareve, firmos 15 urdhër-arreste. Në pranga disa doganierë dhe një biznesmen

Zbulimi i një skeme kontrabande cigaresh ka çuar në pranga disa doganierë por edhe biznesmenë. Pjesë e aferës dyshohet se janë edhe disa shtetas të huaj.
Aksioni ka ardhur pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Mësohet se janë lëshuar 15 urdhër-arreste, një pjesë e të cilëve tashmë janë ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese.
Po ashtu, janë firmosur 21 urdhra ndalimi për dalje jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë si qëllim ndalimin e arratisjes së personave nën hetim.
Mes të përfshirëve në këtë skemë dyshohet se janë zyrtarë doganorë, biznesmenë me aktivitet në tregtinë e cigareve si dhe shtetas të huaj të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes dhe importit të paligjshëm. Shqip.com mëson se është arrestuar edhe një biznesmen i njohur.
Pritet që SPAK të bëjë reagimin e parë publik për aksionin kundër kontrabandës së cigareve.
/Shqip.com