SPAK nuk e lejon të shkojë në Kuvend, GJKKO shtyn seancën për ankimin e Berishës
Është shtyrë seanca ku do të shqyrtohej kërkesa e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili ka ankimuar vendimin e SPAK që nuk e ka lejuar të shkojë në Kuvend.
Ish-kryeministri u përfaqësua në gjykatë, ku pritet të shqyrtohej kërkesa e tij, nga përfaqësuesit ligjorë.
“Qëllimi i kësaj gjykate është djegia e mandatit të deputetit të Berishës”, tha avokati i liderit demokrat për mediat pas vendimit të togave të zeza për shtyrjen e seancës.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e kompleksit “Partizani” nga i cili ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Nga ndërtimi i 19 pallateve aty ku dikur ishte terren sportiv, Malltezi ka përfituar, sipas SPAK, 5.4 mln euro.
Konkretisht, bëhet fjalë për një pronë me rreth 10 000 m2, në qendër të Tiranës, e cila në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100 000 dollarë. Klubi sportiv “Partizani” ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa sot mbi të janë ngritur objekte banimi.
Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka paditur në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.
Akuzat e ngritura:
Sali Berisha- Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i K.Penal
Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv ne bashkëpunim Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve ne bashkëpunim me Fatmir Bektashi neni 287 i K.Penal;
Fatmir Bektashi- Korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh të veprës penale ne bashkëpunim me Jamarbër Malltezi.
/Shqip.com