Lajme

Sot zgjedhjet parlamentare, mbi 3.7 milionë qytetarë zgjedhin deputetët që do t’i përfaqësojnë

Shqipëria mban sot zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Votimi nis në 07:00 në të gjithë vendin dhe mbyllet në 19:00. Pas kësaj ore, do të mundet të votojnë vetëm ata që janë në radhë pranë qendrës së votimit. Në mbarë vendin janë ngritur 5,225 qendra votimi. 
Të drejtën e votës të dielën e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit. 245 935 shqiptarë në diasporë u regjistruan për të votuar.

114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë këtë të dielë. Ndërkohë që 1,081 personave ju është hequr e drejta e votës, për shkak të dekriminalizimit, që nuk lejon të votojnë persona që kanë kryer një sërë krimesh të rënda.

Në fletën e votimit, shqiptarët do të gjejnë kësaj radhe 11 subjekte politike, ku 3 janë koalicione, dhe 9 janë parti që garojnë të vetme.

Secili subjekt zgjedhor ka në garë 186 emra të shpërndarë sipas qarqeve. 2046 persona janë kandidatë për parlamentin e ardhshëm, për të zënë 140 karrige Kuvendore. Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

/Shqip.com