Situata në veri, presidentja Osmani e ndërpren vizitën në SHBA

Për shkak të situatës në Veriun e Kosovës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka ndërprerë vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka njoftuar këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në Nju Jork dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit”, ka shkruar ai në Facebook, të shtunën.
Sipas dispozitave ligjore, presidentja e vendit është edhe komandante supreme.
Gjatë ditës pranë pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak kanë qarkulluar helikopterët serbë.
Po ashtu, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve është sulmuar me granata.

Kjo situatë ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Në anën tjetër, në Beograd, ka deklarata nga zyrtarët e shtetit serb për “gatishmëri ushtarake”.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë ndaj kësaj gjuhe të Beogradit. /Shqip.com