Lajme

Situata me zjarret: Digjen shtëpi, pyje e fusha – Policia jep detaje

Zjarret në Kosovë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me situatën me zjarret në vend, duke bërë të ditur se ka arrestuar një person si dhe intervistuar disa të tjerë. Po ashtu ka njoftuar se është djegur një shtëpi, disa hapësira pyjore e fusha, njofton Shqip.com.

Në raportin 24 orët bëhet e ditur se të martën është arrestuar një person në fshatin Gojbulë e Vushtrrisë, pasi ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

I njëjti i kishte vënë zjarrin hamulloreve në arën e tij.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Për po të njëjtën vepër penale, si të dyshuar policia bën të ditur se ka intervistuar një person në Fushë Kosovë. Ai dyshohet se i kishte vënë flakën një fushe në fshatin Sllatinë.

I njëjti me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu bëhet e ditur se të martën nga zjarri që sipas policisë, ka shpërthyer për shkaqe të paditura janë djegur rreth 4 hektarë të një fushe në fshatin Zhiti e Vitisë.

“Zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje dhe e kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raport.

Në Viti të martën si pasojë e zjarrit janë djegur edhe 3 hektarë fushë, konkretisht në fshatin Pozheran.

“Zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje dhe e kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet më tej.

Zjarr aksidental gjatë së martës policia bën të ditur se është përhapur edhe në rajonin e Dukagjinit.

Në Bjeshkët e Moknës në Istog, sipas policisë, për shkaqe ende të pa njohura është përfshirë nga zjarri një hapësirë pyjore.

Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin dhe është në monitorim të situatës, thotë policia.

Pyje janë djegur edhe në fshatin Shtupeq i Madh i Pejës.

Edhe atje, policia thotë se njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin dhe është në monitorim të situatës.

Ndërsa në fshatin Sfërk e Klinës, policia njofton se për shkaqe ende të pa njohura është përfshirë nga zjarri një shtëpi.

“Njësitë relevante policore si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri është lokalizuar”.

 Përveç dëmeve materiale vlera e të cilave nuk dihet, të lënduar nuk ka pasur.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti vazhdon të hetohet.

 Ndërsa, në Bjeshkën e Baballoqit, Deçan, është përfshirë nga zjarri një hapësirë prej rreth 30 ari.

“Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit”, njofton PK-ja. 

Incidente zjarri të martën ka pasur edhe në Rahovec.

Në fshatin Sopniq, policia njofton se është përfshirë nga zjarri një hapësirë prej rreth 0.50 ha me barishte.

“Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin”.

Ndërsa, në fshatin Xërxë është përfshirë nga zjarri një hapësirë prej rreth 0.40 ha me barishte.

“Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin”./SHQIP.com