Lajme

Sindikata e Infermierëve të Kosovës paralajmëron grevë nga pesë prilli

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, ka njoftuar se nga dita e martë me datë 5 parill 2022 do të hyjnë në grevë paralajmëruese.

Sipas kësaj Sindikate, greva vije pas dështimit për reflektim ndaj kërkesave të infermier, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësor nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, SHSKUK dhe Bordi i SHSKUK-së.

“Greva do filloj në orën 08:00 deri në 09:00, ndërsa ftohen të gjithë anëtarët e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës që të mblidhen para objektit të Drejtorisë së SHSKUK-së. Këshilli Grevist ka për detyrë që gjatë kohës së grevës të bashkëpunojë me SHSKUK /QKUK-në për të siguruar minimumin e procesit të punës, kur një punë e tillë është e domosdoshme për jetën dhe sigurinë e qytetarëve ose është kusht i pazëvendësueshëm i jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Kërkesat e Sindikatës së Infermierëve janë:

1. Koeficienti i pagave 7.1 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor, bazuar në tabelaren e koeficienteve e cila u publikua së fundi, respektivisht 70% e pagës së mjekut, ashtu siç ishte dhe është deri më sot,

2. Rritja e menjëhershëm e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€,

3. Të paguhet menjëherë puna shtesë, respektivisht orët shtesë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,

4. Të paguhet menjëherë rrezikshmëria në punë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,

5. Të paguhet menjëherë puna gjatë vikendeve për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, ashtu siç u paguhet mjekëve.

Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon mirëkuptimin dhe durimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sindikal./Shqip.com