Siguria në Kosovë, ministri Vengu thotë se Shqipëria ka gatishmëri për shtimin e trupave
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se Shqipëria është e gatshme për shtimin e trupave ushtarak në Kosovë, nëse është e nevojshme. Madje, ai ka deklaruar se në këtë drejtim, shteti shqiptar “nuk ka asnjë rezervë”.
Pas takimit me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, Vengu ka theksuar se shtimi i trupave është një vendimmarrje kolektive e KFOR-it, e cila bëhet në bazë të rishikimeve periodike të situatës së sigurisë.
“Është privilegj që të jem këtu. Patëm mundësi që të shkëmbejnë përpjekjet e përbashkëta për emergjenca civile. Kemi biseduar për rritjen e kapaciteteve. Kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e armatosura që FSK-ja të ketë të gjithë nivelin e sigurisë. Bashkimi i forcave që resurset të mos humbin kohën në çështjen e ushtrisë civile dhe të investojmë në mënyrë të përbashkët”.
“Diskutuam edhe për të gjithë sigurinë në rajon. KFOR-i është një instrument i rëndësishëm për sigurinë kolektive, këtë gjë e nënvizova edhe sot. Pa dyshim që Shqipëria në KFOR ka një kontribut të posaçëm. Kemi shtuar trupat në kuadër të Aleancës. Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”.
“Po ashtu diskutuam për çmontimin e zonave të rrezikuara, që të gjithë të jenë të sigurt. Edhe për bashkimin e forcave dhe synojmë të krijomë grupe të bashkuara. E sigurisë në rajon, të gjitha kërcënimet që ka Kosova, KFOR-i është instrument për siguri”.
Ndër të tjera, ministri tha se Shqipëria e ndjen si privilegj ta ndihmojë Kosovën që të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive.
“Shqipëria ka një kontribut të veçantë, dhe e kemi privilegj që Kosova me gjithë përpjekjet e saj të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive”, ka thënë Vengu në konferencën e përbashkët me ministrin Maqedonci.
Kurse, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s dhe e strukturave tjera euroatlantike, bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj.
Maqedonci ka thënë se të dyja vendet kanë nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerim në industrinë ushtarake.
“Kemi bashkëpunuar mjaftë mirë por kemi vlerësuar që ka nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerimin e tij në industrinë ushtarake që po shihet si nevojë. Këtu dua të bëjë të qartë të gjithë atyre akterëve që ne me ushtrinë shqiptare jemi dhe kemi bashkëpunuar për t’u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që synon të kërcënojë trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë. Si dy vende demokratike ne po vazhdojmë të kontribuojmë në luftën globale kundër rreziqeve që rrezikojnë dhe kërcënojnë sigurinë globale siç është rasti i luftës në Ukrainë ku dy vendet tona janë pjesëmarrëse aktive të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës dhe po ndihmojmë popullin e Ukrainës në luftën për liri. Jemi pjesë e përbashkët e shumë iniciativave regjionale dhe synimi ynë do të jetë që bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj të jemi në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s dhe pjesë e strukturave tjera euroatlantike. Faleminderit ministrit Vengu për vizitën dhe respektin që na keni bërë duke zhvilluar vizitën tuaj të parë në Kosovë”, ka thënë Maqedonci.
/Shqip.com