Si po depërton mikroplastika në ushqimin që konsumojmë?

Ndotja nga plastika është një nga trashëgimitë më karakteristike të jetesës sonë moderne, por tani kjo ndotje është aq e përhapur saqë po depërton edhe deri te frutat dhe perimet që konsumojmë, gjatë procesit të tyre të rritjes.
Grimcat mikroplastike e kanë infiltruar çdo pjesë të planetit.Ato janë gjetur të fundosura në Detin e ngrirë Antarktik, brenda organeve të kafshëve që jetojnë në llogoret më të thella oqeanike dhe në ujin e pijshëm kudo nëpër botë.
Ndotje nga plastika është evidentuar në plazhet e ishujve të largët dhe të pabanuar dhe shfaqet edhe në mostrat e ujit detar në të gjithë planetin.
Një studim vlerësoi se ka rreth 24.4 trilion fragmente mikroplastike në shtresat e sipërme të oqeaneve të botës.
Por, ato nuk ndodhen vetëm në ujë – ato janë të përhapura gjerësisht edhe në tokë dhe madje mund të përfundojnë edhe në ushqimin që hamë.
Padashur, ne mund të konsumojmë fragmente të vogla plastike me pothuajse çdo kafshatë.
Llumi i ujërave të zeza është nënprodukti që mbetet pas pastrimit të ujërave të zeza brenda një vendbanimi.
Meqenëse asgjësimi kushton shtrenjtë dhe ajo substancë është e pasur me lëndë ushqyese, llumi përdoret zakonisht si pleh organik në SHBA dhe Evropë.
Në Evropë, kjo ndodh pjesërisht për shkak të direktivave të BE-së që promovojnë metodat më të gjelbra për menaxhimin e mbeturinave.
Rreth 8-10 milionë tonë llum i ujërave të zeza prodhohen çdo vit në Evropë dhe afërsisht 40 për qind shpërndahet në tokat bujqësore.
Ndotja e mjedisit
Megjithatë, para se t’i largojë shiu, mikroplastikat mund të lëshojnë kimikate toksike në tokë. Ato jo vetëm që prodhohen nga kimikate potencialisht të dëmshme që mund të lirohen në ambient gjatë shpërbërjes së tyre, por mikroplastikat mund edhe të thithin substanca të tjera toksike, duke ua mundësuar atyre kështu ndotjen e tokave bujqësore.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se mikroplastika mund ta pengojë rritjen e krimbave të tokës dhe të bëjë që ata të humbin peshë.
Ndikimi në shëndet
Përderisa efekti i gëlltitjes së plastikës për shëndetin e njeriut nuk është ende plotësisht i qartë, tashmë ka disa studime që sugjerojnë se një gjë e tillë mund të jetë e dëmshme. Studimet tregojnë se kimikatet e përdorura gjatë prodhimit të plastikës mund të dëmtojnë sistemin endokrin dhe hormonet që rregullojnë rritjen dhe zhvillimin tone, raporton Radio Evropa e Lirë.
/Shqip.com