Shtohet numri i pacientëve në Emergjencë edhe për shkak të nxehtit

Klinika Emergjente është duke trajtuar numër rekord të rasteve krahasuar me të gjitha vitet paraprake, e madje është rritur edhe përqinja e rasteve të trajtuara për 30 përqind të rasteve, transmeton Shqip.com.
Nga janari deri më tani mbi 50 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në këtë klinikë të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Gjatë muajit korrik, në këtë Klinikë kanë marrë shërbime shëndetësore mbi shtatë mijë persona, në mesin e tyre shumë pacientë i janë drejtuar kësaj klinike edhe për shkak të temperaturave të larta.
Kështu bën të ditur drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, i cili potencon se brenda 24 orëve në këtë Klinikë kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 320 raste, e që sipas tij është numër enorm.
“Klinika Emergjente shënon numrin rekord të rasteve të cilët kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore vetëm për periudhën janar-korrik të vitit 2021. Në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente mbi 50 mijë raste, në krahasim me vitet e kaluara për 30 përqind kemi numrin e shtuar të rasteve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore. Sa i përket muajit korrik në Klinikën Emergjente deri më datën e sotme kanë kërkuar 7 mijë e 531 raste, prej tyre kemi të identifikuar 274 të lënduar në aksidentet ne komunikacion. Në Klinikën Emergjente dominojnë sëmundjet e sistemit kardiovaskular, sëmundjet neurologjike, pulmologjike, sëmundjet metabolike, po ashtu edhe gjendjet aksidentale, pa e anashkaluar edhe dhomën e reanimacionit ku pranojmë të sëmurët edhe të lënduarit të cilët janë me rrezik jete. Brenda 24 orëve në Klinikën Emergjente kërkojnë mbi 320 raste, që është numër enorm”, thotë ai për KP.
Lenjani bën se ditëve të fundit ka pasur shtim të rasteve që kanë kërkuar shërbime emergjente për shkak të temperaturave të larta. Ai thotë se shumica prej tyre janë persona që kanë edhe sëmundje të tjera kronike.
“Edhe ndikimi i faktorëve të ambientit sidomos temperaturat e larta e shtojnë numrin e kërkesave për shërbime emergjente mjekësore, sidomos të sëmurët të cilët kanë sëmundje kronike, nga sëmundjet e zemrës, sëmundjet pulmologjike, sëmundjet neurologjike, sëmundjet metabolike. Po ashtu, edhe numri i shtuar mund të jetë edhe si pasojë e faktorëve aksidental, sidomos goditje nga dielli, goditje nga të nxehtit”, thotë Lenjani. /Shqip.com