Sport Shqiptar

Shtatë skuadra e kërkojnë Muriqin, ai tregon nëse do të largohet nga Mallorca

Vedat Muriqi po kalon formën jetësore me ekipin spanjoll, Mallorca, ndërsa së fundi ka folur për të ardhmen e tij. Duke e pranuar se jo gjithçka varet nga ai, “Pirati” është pothuaj i sigurt se në janar nuk do të ndërrojë skuadër.

Duke folur për mediumin e njohur ‘Marca’, Muriqi ka thënë se nuk e ka menduar largimin nga Mallorca.

Ai ka lënë të nënkuptohet se, nëse në drejtim të Mallorcas vjen ndonjë ofertë ‘tunduese’, atëherë është në dorën e ekipit se a do e shesë.

Vedat Muriqi

Tutje sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, ka thënë se ndihet shumë i lumtur te Mallorca.

“Nuk kam menduar kurrë të largohem. Në janar, 100 për qind jo. Por, jo gjithçka është në dorën time, sepse ndonjëherë vjen një skuadër që mund të pajtohet me Mallorcan, dhe pastaj më thonë ‘të shesim’ dhe nuk mund të them asgjë. Kam një kontratë shumëvjeçare me Mallorcan dhe nuk dua të largohem kurrë. Jam i lumtur këtu, edhe familja ime, mendoj që po luaj dhe po kaloj mirë, prandaj nuk kam menduar kurrë të largohem”, ka thënë Muriqi për Marca.

Muriqi është bërë një nga emrat ‘më të pëlqyer’ nga mediumet spanjolle muajt e fundit për të shkruar rreth të ardhmes së tij. Ai pas paraqitjeve të mrekullueshme në gjysmën e parë të sezonit veçse ka filluar të tërheqë vëmendjen e disa klubeve mjaft të mëdha në Evropë, ndër to edhe Real Madrid.

Sulmuesi dardan këtë sezon ka ‘shpërthyer’ në La Liga duke shënuar tetë gola në 12 paraqitje, një në çdo 131 minuta të luajtura.

Në kampionatin spanjoll vetëm Robert Lewandowski i Barcelonës ka bërë më mirë se ‘Pirati’.

Këto faktet e lartpërmendura kanë bërë që Aston Villa, Everton, Brighton, Real Madrid, Atletico Madrid, Villareal dhe Sevilla të fillojnë të ‘trokasin’ në dyert e Mallorcas, gjithmonë sipas raportimeve të mediumeve ndërkombëtare.

/Shqip.com