Shqiptarët e rajonit thirrje nga Tirana: Mos harroni trojet. Bashkë të realizojmë ëndrrat e rilindësve!
Në Pallatin e Kongreseve këtë të enjte kumbuan tingujt e tradicional nga të gjitha trevat shqipfolëse. Nuk mungoi as baleti kontemporan dhe tingujt modern.
Kryetari i i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, teksa mbajti fjalën e tij rikujtoi 2 amanetet e rilindësve.
Ali Ahmeti: “Luftërat i fituam edhe politikisht e ushtarakisht dhe diplomatikisht, sot kemi një luftë të re dhe më të fortë, ti bëjmë të begatë atdheun tonë. Të organizohemi më shumë se fort sesa jemi të organizuar dhe këtë mundësi mërgata e ka. Të gjithë të përkushtohemi, të gjithë të rinjtë të kapin universitetet më të mira të Europës e SHBA dhe ti kthehen atdheu të tyre. Sot me dituri e mençuri në vendet tona mund ti kemi shumë shpejt anëtare të BE, ashtu siç jemi në NATO. Nesër duhet të jemi në BE. Europa nuk duhet të jetë e qetë pa Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi. Nuk mund të ketë paqe, stabilitetit e siguri pa Ballkanin Perëndimor, djepi i Europës është Mesdheu, prandaj ne vendin e kemi aty. Me përkushtim duhet punuar dhe asgjë e parealizueshme nuk mund të jetë. I dashur Edi mendoj që ne jemi një hap para anëtarësimit. Edhe pak duhet edhe më fort të ngresh zërin, ashtu siç e ke ngrit deri tani, në tjerët s’na ke pas, por na ke në krah”.
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e vuri theksin si tek politika e Tiranës por edhe te Prishtina. Por kërkoi të ketë më shumë vëmendje për trojet e mbetura nën territorin serb.
Shqiprim Arifi: “Duhet t’ju them që jo çdo qeveri, apo qeverisje është perfekte. Ne nuk mund të jemi perfektë në kushte të tilla. Ne kemi për të përmirësuar pikë së pari një herë veten dhe pastaj edhe të tjerët. Në këtë formë, unë dua t’ju them vëllezër dhe motra nga Diaspora që mos u dëshpëroni, sepse ndonjëherë duket shumë keq. Në brendësinë e saj është duke u zhvilluar mirësia, ndonjëherë duhet të kalosh zjarrin për t’u futur edhe në xhenet, ndonjëherë duhet të tejkalosh sfidat e tua shoqërore për të pasur një sukses në të ardhmen, dhe si një djalë i kontekstualizuar dhe i indoktrinuar fatkeqësisht në Gjermani, i cili nga afër e ka parë dhe rënien e murit të Berlinit, mund t’ju them se ka shpresë edhe në vendin tonë”.
Ish-Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, përmendi me disa nga arritjet e shqiptarëve, të cilët sipas tij duhet të krenojnë një popull të tërë.
Dritan Abazoviç: “Në Malin e Zi, ka ndodh diçka, çka para tri viteve askush s’e mendonte. Kjo s’ka të bëjë me mua, apo vetëm me shqiptarët, por dhe me pakicat e tjera. Në krye të vendit ka ardhur dikush nga komunitetet e pakicës në Malin e Zi. Dhe këtë e them për sfidën që shqiptarët do të kenë të ardhmen. Sfida e parë është me vetveten. Mendoj se jemi shumë afër ta mundim këtë sfidë dhe më pas çdo sfidë e jona më tej, do të jetë më e lehtë.
Ne kemi treguar se kur kemi vetëbesim, bëjmë mrekulli. Vetëm kujtoni si ka qenë para 10-20 viteve më parë. Sot Shqipëria ka vizibilitet ndërkombëtar që kurrë se kemi pas për ta menduar se do të ndodhte, me një transformim shoqëror dhe kurrë s’e kemi menduar se respekti ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve do të ishte më i lartë. Dua të them se Shqipëria sot jo vetëm që organizon samitin e Diasporës, ashtu siç i takon, ashtu si dhe për Samitet Ndërkombëtare Europiane të zhvilluara në Tiranë, që edhe kjo i takon, por me shumë vështirësi për të arritur deri këtu.
Por sot, Shqipëria mban fjalën në Këshillin e Sigurimit, para të gjithë botës, duke treguar leksion moral e politik, sipas parimeve ndërkombëtare për mënyrën se si duhet krijuar një shoqëri paqësore, perëndimore dhe moderne.
Ide të cilat kam provuar t’i aplikoj në Malin e Zi, duke nxitur që shqiptarët të ecin me vetëbesim dhe të ballafaqohen me të gjithë të tjerët, duke treguar se me ide mund të jenë edhe superior. Ideja e sëbashkut e gjithë kombit tonë është të gjendemi së bashku në BE. Atje ka vend për të gjithë, me parime, të drejta, ligje, me atë çka është një koncept ku bashkohet populli dhe ku ky popull i moçëm ka vendin e vet.
Jam i sigurtë se ky samit i diasporës, i treti, tregon se një sfidë e madhe që ne kemi patur probleme me veten, më pas me të tjerët, tani po përfundon, dhe jam i sigurtë se po zgjidhim problemin me veten tonë, dhe tashmë sfida do jetë përballja me të tjerët. Të gjithë bashkë në BE”.
Për kreun e Këshillit të Diasporës, Mark Gjonaj, edhe pse të ndarë ne shtete të ndryshme, të gjithë përfaqësojmë një komb.
Mark Gjonaj: “Për shkak se kam lindur në Amerikë, e flas shqipen pak dobët, por kam pororsi nga kryeministri Rama dhe ndaj do flas shqip, ose ndryshe s’ka. Po mundohem me shqipen time. Kam kërkesë që liderët tonë të dy shteteve të bashkohen dhe me gjithë liderët në Ballkan dhe të dalin me një mesazh unifikues dhe me një strategji për shqiptarët. Bëj kërkesë që të të futeni në një dhomë e mos të dilni më nga aty deri sa të arrini në një punë e në një marrëveshje.
Kemi pasur fat që kemi pasur tre kryeministra shqiptar në një kohë, por nuk e kemi shfrytëzuar, por edhe me dy kryeministra shqiptarë që kemi mund ta realizojmë, që të bashkohemi dhe të luftojmë për interesat tona. Ju kërkoj që kokat tuaja t’i bashkoni që t’i bashkojmë edhe tokat edhe popujt. Kemi dy shembuj se çfarë ndodh kur bashkohet shqiptari, u bë Kosova shtet i pavarur. Sa po flas për Kosovën, po ia çoj Serbisë një mesazh edhe Vuçiçit, “Mos na e ngacmo Kosovën dhe kosovarët më! Le të jetojnë atë jetën që e meritojnë”.
Rasti i dytë, kur bashkohen Shqiptarët, ishte ekipi kombëtar i futbollit, që ka shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e nga Maqedonia e Veriut, e ‘zot shnosh’ kanë me e pru Champions në shtëpinë tonë”.
Ky është samiti i III-të i Diasporës që mbahet në Tiranë. Ndërkaq disa nga krerët e politikës së diasporës propozuan Prishtinën si destinacionin e ardhshëm.
/Shqip.com