Shqipëria drejt formësimit të Strategjisë S3 – Nga vendet e reja të punës te rritja ekonomike, risitë e BPO!

Strategjia Kombëtare e Specializimit Inteligjent (S3) në Shqipëri, me fokus të veçantë në sektorë si Business Process Outsourcing (BPO) po shkon drejt formësimit. Kjo në funksion të bërjes së një Shqipërie më inteligjente, me prioritete dhe vizion për të ardhmen.
Business Process Outsourcing (Shërbimi Kontraktual i Procesit të Biznesit) përfshin kontraktimin e operacioneve dhe përgjegjësive të një procesi specifik biznesi me një ofrues shërbimi të palëve të treta.
Në funksion të çuarjes përpara të këtyre funksioneve inovative, ekipi kombëtar i S3 në bashkëpunim me ABSL Albania dhe Unioni i Prodhuesve Shqiptarë organizuan së fundmi një ëorkshop dinamik për BPO, ku profesionistët e industrisë dhe aktorët kryesorë shkëmbyen njohuri dhe ide.
Ky seminar u zhvillua edhe me kontributin e patnerëve si Vigan Group. Presidentja e ABSL Albania (Association of Business Service Leaders), Arjodita Mustali u shpreh se zhvillimi i mëtejshëm i BPO në Shqipëri do të mundësojë në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen ekonomike dhe vendosjen e Shqipërisë si një lojtar konkurrues në tregun global.
Gjatë seminarit, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive, duke eksploruar tendencat dhe avancimet më të fundit në sektorin e Shërbimit Kontraktual të Procesit të Biznesit (BPO).
Workshop-i nxiti një mjedis bashkëpunimi, duke inkurajuar rrjetëzimin dhe partneritetin midis pjesëmarrësve.
“Frymëzuese të dëshmosh ekspertizën dhe entuziazmin kolektiv që synon të nxisë rritjen e industrisë BPO në Shqipëri. Shkëmbimi i njohurive është çelësi për të qëndruar përpara në një peisazh biznesi që evoluon me shpejtësi”, vlerësoi Mustali.

Lehtësimi i platformave të tilla që fuqizojnë profesionistët të mësojnë nga njëri-tjetri, të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe të formojnë kolektivisht të ardhmen e industrisë BPO është faktor kyç për çuarjen e kësaj industrie në një tjetër nivel.
BPO, gjenerator punësimi për të rinjtë
BPO është një nga sektorët me shumë potencial zhvillimi në Shqipëri, vecanërisht për sa i përket investimeve të huaja dhe punësimit të të rinjve në ditët e sotme. Me zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve teknologjik, industria e BPO pritet të rritet me ritme të shpejta, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke ofruar kështu vende të reja pune si dhe rritjen e pranisë, veçanërisht të bizneseve të huaja në vend.
Sektori i BPO është identifikuar si prioritar përgjatë procesit të analizës së fushave prioritare që bëjnë të mundur një specializim inteligjent të ekonomisë, për shkak të avancimit të teknologjive digjitale si dhe mundësive të reja për investim.
Integrimet e mëtejshme, specifikisht në sektorin e IT, konsiderohen nga stakeholders (palët e interesuara) si një rrugë e mundshme zhvillimi për industrinë e BPO, duke kryer investime në lidhjen digjitale, shpërndarjen e energjisë dhe promovimin ekonomik të sektorit, duke ofruar në këtë mënyrë shërbime me vlerë të shtuar.
Njëkohësisht, sektori do të këtë mundësi të penetrojë në segmente të vlefshëm, me kosto më të ulëta.
Pas marrjes së masave të sipërpërmendura, për përmirësimin e infrastrukturës energjetike, dixhitale dhe të aftësive, do të arrihet shfrytëzimi i potencialit të plotë të këtij sektori në Shqipëri.

Çfarë u evidentua: pikat e forta, pikat e dobta, mundësitë dhe kërcënimet
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune (tryeza) ku secili grup përmbante anëtarë të 4 helikave (Biznesi 50%; Akademia; Administrata Publike; Shoqëria Civile/OJQ-të). Secili grup u fokusua në prodhimin e informacionit sipas dy seancave me poshtë:
- Analiza SWOT
Pikat e forta – Përparësitë konsiderohen faktorë të brendshëm. Ky seksion i përgjigjet pyetjeve të tilla si: “Çfarë avantazhesh ka sektori?” dhe “Ku performon më mirë sektori?”.
Pikat e dobëta – Pikat e dobëta konsiderohen gjithashtu faktorë të brendshëm. Seksioni i dobësive u përgjigjet pyetjeve të tilla si “Çfarë duhet të shmanget? ose “Çfarë pengesash ekzistojnë për rritjen ekonomike të bazuar në inovacion?”.
Mundësitë – Mundësitë konsiderohen faktorë të jashtëm. Seksioni i mundësive përdoret për të identifikuar fushat ku një sektor mund të zgjerojë aktivitetet e tij bazuar në pikat e tij të forta. Ky seksion u përgjigjet pyetjeve të tilla si: “Cilat janë tendencat përkatëse globale?”, “Çfarë avantazhesh mund të ofrojnë teknologjitë dhe inovacionet e reja të zhvilluara?”.
Kërcënimet – Kërcënimet konsiderohen gjithashtu faktorë të jashtëm. Ky seksion u përgjigjet pyetjeve të tilla si: “Me cfarë pengesash për rritjen ekonomike të bazuar në inovacion përballet sektori?”, “Cila është konkurrenca globale?”, dhe “Çfarë kërcënimesh ndikojnë në sektor?” Qëllimi është të analizohet se sa mirë një sektor mund të zgjerohet në drejtime të reja, ose të zhvillohet më tej në fusha ekzistuese bazuar në fuqitë dhe dobësitë e vendit.
Shqipëria dhe S3
Vitet e fundit, vendet dhe rajonet në Bashkimin Evropian (BE) kanë zhvilluar Strategjitë e Specializimit të Zgjuar (S3) si një mjet i ri për nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit rajonal. Qasja S3, që po fiton interes në rritje në mbarë botën, është e bazuar në vendin respektiv dhe synon të identifikojë disa fusha prioritare të ekonomisë rajonale/kombëtare ku ndikimi i investimeve publike në kërkim, zhvillim dhe inovacion mund të jetë shumë i rëndësishëm.
Shqipëria filloi procesin e projektimit të S3 të saj në vitin 2016 nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Vendimi lidhej edhe me reformën e arsimit të lartë, si nevojë për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve të arsimit të lartë (IAL) dhe bizneseve për një përafrim më të mirë me objektivat e zhvillimit rajonal dhe kërkesat e tregut të punës. Një event kombëtar i organizuar në dhjetor 2016 me mbështetjen e TAIEX mblodhi së bashku një numër të madh aktorësh dhe institucionesh dhe, nga tryezat e rrumbullakëta, u krijua një grup pune informal me ekspertë të ndryshëm. Ai punoi me qëllim zhvillimin e S3 deri në zyrtarizimin e tij në vitin 2018.
Në vitin 2017, Shqipëria u regjistrua në platformën e Qendrës së Përbashkët të Kërkimit (JRC) të Komisionit Evropian për S3 dhe në vitin 2018 grupi informal i punës me përfaqësues nga institucione të ndryshme, duke përfshirë biznesin dhe akademinë, është zyrtarizuar me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Më shumë aktorë kryesorë u përfshinë duke krijuar një grup më të gjerë si vijon: Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Unioni Kombëtar i Prodhuesve, Agjencia për Zhvillimin Rajonal, IAL-të, Bashkia Tiranë, etj.
Në kuadër të kësaj nisme, në vitin 2021, një grup ekspertësh të pavarur realizuan një analizë të detajuar të kapaciteteve, burimeve, si dhe avantazheve konkurruese që Shqipëria zotëron. Në këtë mënyrë u identifikuan 6 fusha prioritare për zhvillim, ku Shqipëria duhet të specializohet në mënyrë inteligjente, per t’u dhënë atyre një vlerë të shtuar në ekonomi:
1.Bujqësia, Peshkimi & Akuakulutura, dhe Pylltaria
2.Manifacturing (Industria Përpunuese)
3.Energjia
4.Turizmi
5.ICT
6.BPO
Ekipi i S3 krijoi gjithashtu Ekipin Analitik Kombëtar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione të ndryshme dhe ekspertë si INSTAT, Departamenti i Statistikave në Universitetin e Tiranës, AIDA, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, etj. U organizuan disa aktivitete për hartimin e S3 dhe seminare trajnimi për ngritjen e kapaciteteve. Ndërkohë, S3 u bë pjesë e agjendës rajonale të WB6, si pjesë e shtyllës Smart Growth në MAP REA (përgjegjëse ishte Ministria e Financave dhe Ekonomisë), si dhe pjesë e dy kapitujve në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë.
Për të ndihmuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në procesin e projektimit të S3 respektivë, JRC e KE-së ka zhvilluar një Kuadër të S3 që përfshin të gjithë hapat që parashikohet të ndiqen deri në draftimin përfundimtar të dokumentit strategjik dhe që mund të përdoret si udhëzues.
Ekipi shqiptar S3 hartoi një Udhërrëfyes për S3 bazuar në Kuadrin e JRC dhe deri më tani janë ndërmarrë disa hapa për të zhvilluar një Strategji në nivel kombëtar por duke mbajtur parasysh perspektivën rajonale me fokus në potencialin e 12 qarqeve të Shqipërisë.
/Shqip.com