Shpërthim vdekjeprurës ndaj një autobusi ushtarak në Damask

Një sulm me bombë ndaj një autobusi ushtarak në Damaskun qendror ka vrarë të paktën 13 persona, thonë mediat shtetërore siriane.
Automjeti u shënjestrua me dy pajisje shpërthyese teksa kaloi nën urën Jisr al-Rais pak pas agimit, raportoi agjencia e lajmeve Sana.
Edhe pse Siria është përfshirë nga një luftë civile për një dekadë, sulme të tilla në kryeqytet janë gjithnjë e më të rralla.
Bombardimet e ushtrisë gjithashtu thuhet se vranë të paktën tetë persona në veri-perëndim të kontrolluar nga opozita menjëherë pas kësaj, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.
Disa fëmijë shkolle ishin në mesin e viktimave nga sulmi në qytetin Ariha, në provincën Idlib, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup monitorues me qendër në MB.
Idlib është bastioni i fundit i grupeve rebele dhe xhihadiste që janë përpjekur të përmbysin Presidentin Bashar al-Assad që nga viti 2011.
Lufta ka lënë të paktën 350,000 njerëz të vdekur, sipas Kombeve të Bashkuara, dhe bëri që gjysma e popullsisë të largohej nga shtëpitë e tyre, përfshirë gati gjashtë milionë refugjatë jashtë vendit.
Bombardimet e së mërkurës në Damask thuhet se ishin më vdekjeprurëse në qytet që nga marsi 2017, kur të paktën 31 persona u vranë në një sulm vetëvrasës të marrë përsipër nga grupi xhihadist Shteti Islamik (IS).
Për sulmin e së mërkurës ende askush nuk është shpallur përgjegjës, mirëpo ka dyshime se IS qëndron mbrapa, meqë ka kryer disa sulme kundër ushtrisë këtë vit në Siri./SHQIP.com