Lajme

Shkarkohet zv.drejtori i RTK-së: Vendim qyqar dhe tinëzar, vendimet po i marrin kryesisht natën

Radio Televizioni i Kosovës

Është shkarkuar nga pozita e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Lorik Arifaj.

Arifaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky njoftim qyqar dhe tinëzar është marrë nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, dhe sipas tij vendimet po merren natën.

“Ky vendim krejtësisht arbitrar, me siguri i bazuar ne trillimet e zakonshme, dyshoj që është vendim politik dhe si të tillë do ta kundërshtoj në Organet e Drejtësisë, dhe të jeni të sigurt se do ta fitoj”, ka shkruar Arifaj.

Ai gjithashtu ka shkruar se vendimi ka ardhur “pasi që kam përfunduar Raportin Vjetor te Punës për vitin 2021, qe me ka marre rreth 3 muaj kohë, i cili duhet te dorëzohet ne Kuvend deri me 31 mars te këtij viti, e të cilin nuk do të mund ta bënte askush tjetër”, ka shkruar ai.

Lorik Arifaj, ndër të tjera ka shkruar se në maj, bëhen 20 vjet nga kontributi i tij në RTK.

“Për këtë nuk do të flas shumë, pasi flasin të gjithë ata që më njohin dhe kanë pasur rastin të punojnë me mua, dhe te ma njohin profesionalizmin dhe përkushtimin në punë”, ka thënë Arifaj./Shqip.com