Sport Ndërkombëtar

Shkarkohet presidenti i Federatës së Futbollit

Kreu i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, është shkarkuar nga detyra, duke u zëvendësuar përkohësisht nga zëvendëspresidenti Philippe Diallo.

Le Graet e mbante këtë detyrë nga viti 2011. Ai shkaktoi polemika me deklaratën e tij shpërfillëse ndaj ikonës franceze të futbollit, Zinedin Zidane.

Por akuzat për ngacmime seksuale ndaj kreut të institucionit të futbollit francez bënë që Komiteti Ekzekutiv të vendoste pezullimin e tij.

Zidane konsiderohej si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Gjelave”, por federata vendosi që të vazhdonte bashkëpunimin me teknikun aktual Didie Deshamps deri në vitin 2026.

Le Graet u akuzua nga një menaxhere futbollistësh për sjellje të pahijshme përgjatë viteve duke kërkuar favore seksuale.

37-vjeçarja Sonia Suid tha se dëshironte të krijonte një marrëdhënie bashkëpunimi me Le Graet për të promovuar futbollin e femrave, por ai i kishte dërguar mesazhe zanore ku e ftonte që të pinin shampanjë.

Edhe një revistë franceze akuzoi kreun e federatës për ngacmime seksuale dhe se kishte krijuar një ambient toksik në punë për femrat.

Ministrja franceze e Sporteve, Ameli Kastera kërkoi që të niste një hetim për kreun e federatës në lidhje me akuzat.

/Shqip.com