Sport Shqiptar

Shitje rekord e ekipit nga Shqipëria, Skukën e zëvendëson lojtari që aktivohet në Kosovë

Sulmuesi Xhuliano Skuka do të konfirmohet në orët në vijim si një prej shitjeve më të bujshme nga një klub shqiptar, teksa francezët e Metz do të derdhin në arkën e Partizanit një shumë prej 1 milionë eurosh.

Për “Panorama Sport” burime te sigurta në klubin e kuq konfirmuan se oferta e Metz është pranuar zyrtarisht dhe mbeten detaje të vogla mes palëve për të bërë publike marrëveshjen.

Skuka do t’i nënshtrohet testeve mjekësore te Metz, e më pas do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me francezët.

Por, te Partizani po bëjnë gati zëvendësimin e bomberit me një nigerian që ka shkëlqyer në pjesën e parë të këtij sezoni në Kosovë.

Bëhet fjalë për sulmuesin 23-vjeçar, Christian Mba, i cili në 18 ndeshje ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 5 asiste me klubin nga Mitrovica, Trepça ‘89.

Drejtuesit e Partizanit kanë biseduar me klubin mitrovicas për blerjen e kartonit të Mba dhe në parim kanë arritur akordin.

Trepça mësohet se kërkon të mbajë në pronësi një përqindje të kartonit dhe në orët në vijim gjasat janë që marrëveshja të jetë totale mes palëve.

/Shqip.com