Lajme Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës: Vetëm dy anëtarë janë të punësuar

Shikimi i dobësuar, barriera e vetme për punësimin e Betimit

Betim Bregovina

Shikimi i dobësuar që nga lindja, për Betim Bregovinën nuk ka qenë fare barrierë në arritjen e ambicieve.

Ai është 36 vjeçar dhe deri tani ka përfunduar studimet për psikologji dhe pedagogji në nivelin bachelor dhe master.

Por, shikimi i dobët po del të jetë problem për punëdhënësit.

Me gjithë kualifikimet e arritura, Bregovina nuk ka arritur asnjëherë të punësohet.

 “Kam aplikuar mbi 10 herë për t’u punësuar, nëpër shkolla te ndryshme, si mësimdhënës  i psikologjisë dhe psikolog shkollorë, si dhe dy herë  si psikolog burgu”.

“Anëtarët e komisionit gjatë fazës testuese, më shumë u merrnin me mua, më bënin presion, se sa me 30 ose 50 kandidatë të tjerë. Ka pas raste kur u bënin edhe dy deri tre mbikëqyrës vetëm tek unë”, thotë ai.

Meqenëse Betimit i duhet gjithmonë një shoqërues, ngaqë e ka të pamundur të testohet me shkrim i vetëm, ai përmend rastin kur komisionarët nuk i lanë as këtë shoqërues.

“Gjatë testimit me shkrim, ka pasur raste kur ma kanë limituar kohën, duke mos më lënë as ta përfundoj, madje nuk ma kanë lënë as motrën për ndihmë, për asistent, dhe ma kanë jep një shoqërues jo të përshtatshëm”.

Si rrjedhojë, Betimi vazhdon të jetë në kërkim të së drejtës së tij për punësim.

Ilustrim

Vetë shteti nuk ka të dhëna se a respektohet ligji për personat me nevoja të veçanta

Ligji për punësimin e personave me nevoja të veçanta, thotë se çdo punëdhënës i sektorit publik apo privat është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtorë.

Por, asnjë nga autoritetet nuk ka të dhëna se sa nga këta persona janë të punësuar, qoftë ne institucionet publike apo ato private.

Në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Administrata Tatimore e Kosovës, thuhet se nuk kanë të dhëna në dispozicion.

Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës: Vetëm dy anëtarë janë të punësuar

Faktin që ky ligj nuk po respektohet e pohon edhe Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës.

Në këtë iniciativë janë tetëdhjetë anëtarë, e prej tyre të punësuar janë vetëm dy.

Drejtori i “Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës”, Halil Kurmehaj, për këtë përgjegjësinë ia hedh Inspektoratit të Punës.

 “Nuk respektohet aspak, institucionet nuk e shohin si interes që të përfundojnë si proces të rekrutimit, e dyta nuk ka mekanizëm që i detyron, as Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, për shërbimin civil dhe as Inspektorati i Punës, të paktën deri më sot nuk ka përdorë ndëshkime”.

Madje, Kurmehaj thotë se personat me nevoja të veçanta diskriminohen edhe gjatë fazës testuese.

“Mungon riaftësimi për tregun e punës dhe rrethanat tjera, qasja fizike, në qoftë se në konkurs ka të verbër koha nuk është e nevojshme, sepse neve na duhet kohë shtesë meqenëse duhet të lexoj një person tjetër, e kjo merr më shumë kohë” ka thënë Kurmehaj për Shqip.com.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, rezulton se janë mbi 78 mijë qytetarë me aftësi të kufizuara. /SHQIP.com