Lajme

Shifrat e fundit/ Rama merr mbi 800 mijë vota. Numërimi i diasporës vijon ende

Numërimi i votave brenda vendit ka përfunduar 2 ditë më parë, teksa procesi po vijon me ato të diasporës dhe finalizimi duket i afërt.

Partia Socialiste nuk ka zhgënjyer sërish në këto zgjedhje, duke marrë mbi 800 mijë vota, të cilat përkthehen në 83 deputetë në Kuvendin e ardhshëm.

PS ka tejkaluar këtë shifër, duke marrë deri pasditen e kësaj të enjte, 15 maj, 810 400 vota ose 52.3%.

PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, koalicioni opozitar, nga ana tjetër ka arritur të marrë 521 952 vota, ose 33.7%. Një diferencë kjo e ndjeshme me socialistët, prej afro 20%. 

Nisma-Shqipëria Bëhet pozicionet si forcë e tretë politike për nga numri i votave me mbi 60 mijë, por jo për nga përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo parti do të ketë vetëm një mandat në Parlament, kreun e saj Adriatik Lapaj.

PSD ka 11 mijë vota më pak, por do të çojë tre deputetë në Kuvend me në krye Tom Doshin.

“Mundësia” ka marrë mbështetjen e 48 mijë shqiptarëve dhe në Kuvend do të përfaqësohet me 2 ligjvënës, Agron Shehajn e Erald Kaprin. 

Ndërsa Lëvizja Bashkë me rreth 24 mijë vota, do të ketë një mandat në Parlament. Në Kuvend do të ulet Redi Muçi dhe jo Arlind Qori, drejtues i Lëvizjes pasi ky i fundit e ka renditur veten të dytin në listën e kandidatëve.

Jashtë karrigeve të Kuvendit ngel Lulzim Basha dhe forca e drejtuar prej tij, Koalicioni Euroatlantik, bashkë me Lëvizjen Djathtas për Zhvillim të Dashamir Shehit e Enkelejd Alibeajt. 

/Shqip.com