Shënohet Dita e Ashkalinjve / Maqedonci pret ushtarët e FSK-së që i takojnë këtij komuniteti
Sot Ministria e Mbrojtjes ka organizuar ceremoni për ta shënuar Ditën e Ashkalinjve.
Këtë e bëri të ditur ministri Ejup Maqedonci, i cili tha se me pjesëtarët e FSK-së nga radhët e komunitetit ashkali kanë diskutuar për sfidat me të cilat përballen ata.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të gjithë pjesëtarëve të komunitetit ashkali kudo që jetojnë dhe veprojnë, e në veçanti pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ky komunitet të ju uroj Ditën e Ashkalive dhe 21 vjetorin e Ditës së Flamurit tuaj kombëtar”, u shpreh Maqedonci.
Ai më tej tha se komuniteti ashkali ka dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe ushtrisë së saj.
“FSK-ja aktualisht përbëhet nga 27 pjesëtar të komunitetit Ashkali, komunitet ky i cili tradicionalisht ka shërbyer në Ushtrinë e Kosovës dhe ka përcjell shembullin më të mirë të integrimit. Këtë vit radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës iu bashkuan edhe 4 pjesëtar të rinj nga komuniteti juaj , dhe vlen të theksohet që nga të gjitha komunitetet ashkalinjtë kishin numrin më të madh të aplikuesve, kjo tregon edhe për atdhedashurinë që ka ky komunitet ndaj Kosovës dhe dëshirën për të shërbyer në uniformën e ushtrisë së Kosovës”, theksoi Maqedonci.
Postimi i plotë:
Sot me rastin e shënimit të Ditës së Ashkalinjve, me pjesëtarët e FSK-së nga rradhët e komunitetit ashkali diskutuam rreth sfidave por dhe sukseseve që kemi shënuar që nga transformimi i FSK-së.
Në vijim gjeni fjalimin tim gjatë kësaj tryeze:
Të nderuar përfaqësues dhe ushtarakë të FSK-së nga rradhët e komunitetit ashkali,
Kryetar i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi,
Zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes, Adnan Rexhepllar,
Zëvendësministër i Ministrisë së Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Z.Resul Makreshi,
Të nderuar këshilltar politik nga Zyra e Kryeministrit ,Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit, dhe nga Ministria e Mbrojtjes,
I nderuari Drejtor i Zyrës së NALT-it Gjeneral Hammerstein,
I nderuari Zëvendëskomandant i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi
Të nderuar gjithë të pranishëm,
Mirë se erdhët në Ministrinë e Mbrojtjes , dhe në tryezën tonë të organizuar në nderim të Ditës së Ashkalinjve.
Kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të gjithë pjesëtarëve të komunitetit ashkali kudo që jetojnë dhe veprojnë, e në veçanti pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ky komunitet të ju uroj Ditën e Ashkalive dhe 21 vjetorin e Ditës së Flamurit tuaj kombëtar.
Jam shumë i lumtur që sot jemi bashkë për të festuar ditën tuaj më të rëndësishme.
Komuniteti Ashkali ka dëshmuar konsistencë me kontributin e tyre në ndërtimin e Kosovës dhe ushtrisë.
E kaluara e komunitetit Ashkali në Kosovë është një e kaluar me shumë halle dhe probleme, por po ashtu është një e kaluar me shumë dinjitet e krenari, me bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë me shqiptarët dhe komunitetet tjera në Kosovë, si komunitet liridashës dhe paqësor, mbështetës i fuqishëm i proceseve më të rëndësishme që ka kaluar vendi ynë.
FSK aktualisht përbëhet nga 27 pjesëtar të komunitetit ashkali, komunitet ky i cili tradicionalisht ka shërbyer në Ushtrinë e Kosovës dhe ka përcjell shembullin më të mirë të integrimit.
Këtë vit radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës iu bashkuan edhe 4 pjesëtar të rinj nga komuniteti juaj, dhe vlen të theksohet që nga të gjitha komunitetet ashkalinjtë kishin numrin më të madh të aplikuesve, kjo tregon edhe për atdhedashurinë që ka ky komunitet ndaj Kosovës dhe dëshirën për të shërbyer në uniformën e ushtrisë së Kosovës.
Ne do të vazhdojmë të mbesim të përkushtuar që të rrisim numrin e pjesëtarëve të FSK-së nga komunitetet në rekrutimet e ardhshme dhe për këtë sigurisht qe ne duhet të punojmë bashkë, dhe në të njëjtën kohë të punojmë edhe më shumë për integrimin dhe avancimin e tyre ngase për të arritur progres shoqëror është i domosdoshëm progresi i vazhdueshëm i të gjithë komuniteteve pa përjashtim, i të gjithë qytetarëve që fillimisht janë shtetas të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij mandati janë ndërmarr veprime konkrete në këtë drejtim. Vetëm gjatë javës së kaluar me kërkesë të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ministria e Mbrojtjes ka evidentuar edhe 10 pozita të lira të punës për komunitetet joshumicë, mundësi kjo edhe për komunitetin ashkali për të shërbyer si Zyrtar publik, gjë që do t’i kontribuoj integrimit të qëndrueshëm të tyre. Andaj ftoj të gjithë kuadrin e ri profesional të komunitetit tuaj, që të aplikojnë jo vetëm në ministrinë tonë po në të gjitha ministritë, në konkurset që do të hapen së shpejti.
Të nderuar gjithë të pranishëm ,
Përfundimisht jam shumë mirënjohës ndaj kontributit të juaj qe keni dhënë dhe po jepni për ushtrinë dhe shtetin, përzemërsisht edhe një herë ju uroj ditën tuaj nacionale, Ditën e Ashkalinjve.
Shëndet dhe begati për ju dhe familjet tuaja.
Ju Faleminderit shumë!
/Shqip.com