Lajme

Shëndetësia me një mal problemesh e pak përparimesh

Shëndetësia ka marrë kritika të ashpra në Raportin për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian.

Dokumenti kryesor që flet për procesin e plotësimit të kushteve për integrim evropian, ka konstatuar se numër i madh i të gjeturave nga raportet e kaluara, nuk kanë nisur të adresohen.

“Qasja në shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor për fëmijët mbetet shqetësim – nuk ka pasur përmirësim të shkallës së vdekshmërisë neonatale, foshnjave dhe fëmijëve, e cila është trefishi i mesatares së BE-së dhe më i larti në rajon. Situata e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptas, janë shqetësues, ku vetëm 38% e fëmijëve në këto komunitetet janë vaksinuar plotësisht”, thuhet në raport, duke shtuar se Kosova nuk ka pasur progres në strategjinë e sektorit të shëndetësisë.

Megjithëse qytetarëve u është mundësuar që shërbimet fillestare shëndetësore t’i kenë falas, raporti thotë se atyre nuk po u rimbursohen shpenzimet për shërbimet diagnostikuese dhe ato për medikamente.

Kostoja e lartë e shërbimeve shëndetësore po kufizon aksesin për grupet e cenueshme, derisa vetëm rreth 65% e nevojave vjetore të shëndetit në sektorin publik, mbulohen nga shpenzimet e buxhetit dhe atë kryesisht me kosto fikse. 

“Ligji gjithëpërfshirës për kontrollin e duhanit (në fuqi që nga viti 2013) nuk zbatohet, si shkak i mungesës së vullnetit politik, ashtu edhe për shkak të moszbatimit të rregullave nga autoritetet zbatuese”, thotë tutje raporti.

Raporti thotë se Kosova ka një sistem elektronik informativ për shëndetin, bazuar në treguesit kryesorë evropianë të shëndetit, që mundëson komunikim virtual ndërmjet pacientëve dhe mjekëve të përgjithshëm, por ky sistem nuk përdoret nga të gjitha institucionet shëndetësore, duke përfshirë edhe ato që mbulojnë patologjinë, radiologjinë, transfuzionin e gjakut, vaksinimin dhe ndërhyrjet tjera. 

Programi i rishikuar i shqyrtimit të kancerit nuk është përgatitur ende, e numri i grave që kryejnë kontrolle për kancerin e qafës së mitrës, është i ulët.

Në shëndetësi nuk është bërë progres në zbatimin e planit të veprimit për promovimin e shëndetit apo planet strategjike për kujdesin shëndetësor të nënës dhe fëmijës. Parandalimi i sëmundjeve jo të transmetueshme mbetet e dobët, kurse nuk është bërë ndonjë përparim në miratimin e planit të veprimit të ushqyerjes dhe aktivitetit fizik.

Legjislacioni i barnave për përdorim njerëzor dhe barnave për përdorime veterinare, janë pjesërisht në përputhje me rregullat e BE-së.

Raporti ka kërkuar nga institucionet që të përditësojnë listën e barnave esenciale, të cilat mbulohen nga qeveria. 

Furnizimi me barna nga Lista esenciale, e prokuruar nga Ministria e Shëndetësisë, është përmirësuar në vitin 2021-2022. 

Aktualisht, niveli i mbulimit të barnave nga lista esenciale është 75%, ndërsa për materialet konsumuese në kujdesin parësor shëndetësor, është 90%.

Autoritetet shëndetësore janë lëvduar për menaxhimin e pandemisë dhe procesin e vaksinimit të popullatës, por është adresuar shqetësimi se sistemi shëndetësor do të dëmtohet nga largimi i punëtorëve shëndetësor.

Legjislacioni për gjakun, indet, qelizat dhe organet, dhe për të drejtat e pacientëve është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së. Kosova ende është duke zhvilluar një plan veprimi për të adresuar rekomandimet nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve 2018 raporti i vlerësimit teknik.

/Shqip.com