Kulturë

Shefqet Bylykbashi / Anatomi e një fati të prerë

Shefqet Bylykbashi / Shkrimtar
Shefqet Bylykbashi / Shkrimtar

ANATOMI E NJË FATI TË PRERË

Lumturisht kërkuam një shkas për t’u njohur
Gojë shqyer pimë kafe për herën e parë
Kurrë s’u rikthyem më, aty, për t’u çlodhur
Me ters ish ajo ditë: për t’u njohur dhe ndarë!

Në skaj të rrugës pa pasion, pa ndjenjë lirike
N’kafenenë me zhul negociuam për fatin tonë
Rrodhi muhabeti si t’ishim në qendër klinike
Sikur pacientët që s’kanë fat në operacion!

Për njerëzit n’këtë botë s’ka parime të gatshme
As, se si të jenë bashkë; as, se si të binden
Ka fate t’lumtura, tragjike, e tjera t’ngjashme
Që dihet se, si përfundojnë nëse…, grinden!

S’është se s’kemi hasur ndonjëherë rrugë me kthesa
Por, nuk e zbërthyem dot, vlerën e kuptimësisë
Fatin tonë bashkë me kafe i mblodhi fshesa
Nuk ishte çasti, ora, koha as dita e dashurisë!

Njeriu ka lot, vrer dhe helm mund të ketë
Shpeshherë edhe mund të mos jetë vetvetja
Dhe, kështu ka ndodhur pandërprerë në jetë
Prej kur ka shpërthyer n’botë e Mira dhe e Keqja!

/Shqip.com