Lajme Botë

SHBA-të vendosin sanksione ndaj Milorad Dodik

Kryetari i Republikës Serbe, Millorad Dodik

Zyra e departamentit amerikan i Thesarit të ShBA-së, në kuadër të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka vendosur sanksione për anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Sipas këtij departamenti, Dodik është i përfshirë në aktivitete korruptive dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, përcjell Shqip.com.

Përveç tij, sanksione janë vendosur edhe ndaj televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka për shkak të ndërlidhjes me Dodikun.

“Dodik ka minuar institucionet e Bosnjë-Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore, dhe duke vënë në lëvizje krijimin e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska (RS) të Bosnjë-Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozicionin e tij zyrtar në Boshnje për të grumbulluar pasuri personale nëpërmjet ryshfetit, dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij përçarëse etno-nacionaliste pasqyron përpjekjet e tij për të çuar përpara këto synime politike dhe për të shkëputur vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Në mënyrë kumulative, këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të BiH dhe minojnë Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit, duke rrezikuar kështu jostabilitetin më të gjerë rajonal”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit.

Ministrja e Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, më 5 janar kishte paralajmëruar se do të ndodhin sanksione nga SHBA-të kundër individëve nga Bosnje dhe Hercegovina.

Theksojmë se sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, vitin e kaluar kishte njoftuar se Shtetet e Bashkuara, të cilat ndërmjetësuan në arritjen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën në vitin 1995, mund të vendosin sanksione ndaj atyre që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose të destabilizojnë marrëveshjen./Shqip.com