Lajme

SHBA: Po punojmë që të ulen tensionet midis Kosovës dhe Serbisë

Flamuri amerikan dhe ai i Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë që të ulen tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të shmangur veprimet që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Kështu thotë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili shton se në këtë drejtim po punohet edhe për të shmangur veprimet që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve.

“SHBA-ja po punon me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm në shtensionimin e situatës dhe për të shmangur veprimet që rrisin tensionet, që vënë në rrezik përparimin e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL.

SHBA-ja tha se në takimet e ftuara nga Brukseli, që do të mbahen gjatë javës së ardhme, do të marrë pjesë edhe Zëvendësndimës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.

Zëvendësndimës-sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë bashkëpunimin e ngushtë rajonal për të eliminuar të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë, të tregtisë dhe investimeve që janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”.

Më herët gjatë të dielës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell bëri të ditur se gjatë ditëve në vijim, kryenegociatorët e Kosovës janë pajtuar që të takohen në Bruksel, ku do të diskutohet për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Që prej vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e Serbisë, më 20 shtator, tensionet janë rritur në veri të Kosovës, ku qytetarët serbë po kundërshtojnë këtë masë.

Ata kanë bllokuar me vetura dhe mjete të tjera rrugët që çojnë për në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Të gjitha automjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës, praktikë kjo që autoritetet e Serbisë e kanë vënë në funksion prej rreth 10 vitesh më parë.

Më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës.

Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. /Shqip.com