SHBA-ja planifikon t’i blejë 100 mijë fishekë nga Koreja e Jugut për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të blejnë 100 mijë fishekë artilerie nga prodhuesit e armëve të Koresë së Jugut për t’ia ofruar Ukrainës, tha një zyrtar amerikan, duke shtuar se kjo po bëhet si një përpjekjeje e gjerë për të gjetur armatim në dispozicion për betejat me intensitet të lartë që po zhvillohen në Ukrainë.
Si pjesë e marrëveshjes, SHBA-të do të blejnë 100 mijë fishekë 155 mm, të cilët më pas do të transferohen në Ukrainë përmes SHBA-së, raporton BBC.
Në një deklaratë të lëshuar të premten në mëngjes, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se nuk kishte ndryshuar qëndrimin e saj për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe se besonte se “përdoruesi përfundimtar” i municioneve janë Shtetet e Bashkuara.
“Negociatat janë duke vazhduar midis kompanive amerikane dhe koreane për të eksportuar municione, në mënyrë që të kompensohet mungesa e inventarit të municioneve 155 mm në SHBA”, tha ministria.
Pentagoni tha në një deklaratë se ka qenë “në diskutim” për “shitjet e mundshme” të municioneve nga SHBA.
Por deklaratat nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja bëjnë të qartë se marrëveshja, e cila ka qenë në punë prej muajsh, ende nuk është finalizuar.
Blerja e një furnizimi kaq të madh të municioneve artilerie është shumë e ndjeshme për Korenë e Jugut, veçanërisht duke pasur parasysh lëshimet e fundit të raketave dhe testet e armëve të kryera nga Koreja e Veriut.
Koreja e Jugut ka marrë pjesë në takimet e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, grupi shumëkombësh i krijuar nga Shtetet e Bashkuara për të identifikuar rezervat e disponueshme të armëve dhe për t’i dërguar ato në Ukrainë.
Por Seuli deri më tani ka refuzuar publikisht të dërgojë ndihma vdekjeprurëse në Ukrainë, duke ofruar vetëm ndihma jo-vdekjeprurëse dhe humanitare, të tilla si furnizime mjekësore dhe jelek antiplumb.
/Shqip.com