Lajme

“Politico”: Biden nuk e fton Kosovën në Samitin për Demokraci

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Në dhjetor të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të organizojnë Samitin për Demokraci, ku janë ftuar 100 shtete.

Prestigjiozja amerikane “Politico”, ka publikuar listën e shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, jashtë së cilës kanë mbetur Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ndërsa, vendet e tjera të rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e kësaj liste e cila u publikua mëngjesin e 5 nëntorit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Samiti planifikohet të mbahet online.

“Samiti do të nxisë angazhimet dhe nismat në tri tema kryesore: promovimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen kundër autoritarizmit dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë./SHQIP.com