Lajme Botë

SHBA-ja beson se Rusia posedon dronë iranianë që mund të përdoren për luftën në Ukrainë

FOTO, CNN
FOTO, CNN

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar se Rusia tani ka në posedim dronë iranianë të aftë për armë, të cilët mund të vendosen në fushën e betejës në Ukrainë, kanë thënë të martën zyrtarët e administratës së Bidenit për CNN-in.

Sipas tyre, rusët kanë marrë dronët nga një aeroport iranian në fillim të këtij muaji dhe i kanë transportuar përsëri në Rusi me aeroplanë mallrash gjatë mesit të gushtit.

Raportohet se zyrtarët rusë kanë filluar stërvitjen për dronët në Iran në fund të muajit korrik, ndërsa tani SHBA-ja beson se Rusia ka blerë dhe transferuar zyrtarisht dronët e serisë Mohajer-6 dhe Shahed, Shahed-129, Shahed-191, për t’i përdorur në luftën në Ukrainë.

Të dy llojet e mjeteve ajrore pa pilot, janë të afta të mbajnë municione të drejtuara me saktësi dhe mund të përdoren për vëzhgim.

Zyrtarët thonë se operatorët rusë janë ende duke u trajnuar për dronët brenda Iranit dhe SHBA-ja beson se Rusia synon të importojë qindra prej tyre.

Lufta në Ukrainë

Përdorimi i dronëve iranianë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës, pasi Rusia synon të zbusë ndikimin e sistemeve raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) që SHBA-ja dhe aleatët e saj i kanë ofruar Ukrainës.

Administrata e Biden kishte paralajmëruar në korrik se Rusia po kërkonte të blinte dronët mes mungesave akute të furnizimit që rrjedhin nga lufta në Ukrainë dhe sanksioneve perëndimore që kanë penguar përpjekjet e reja të prodhimit. 

Imazhet satelitore zbuluan atë muaj se një delegacion rus kishte vizituar një aeroport në Iranin qendror të paktën dy herë që nga qershori për të ekzaminuar dronët e aftë për armë./Shqip.com