Lajme Ballkan

SHBA: Drejtësia dhe përgjegjësia mbi ata që kryen e mbuluan vrasjet e vëllezërve Bytyqi- prioritet i raporteve bilaterale me Serbinë

Tre vëllezërit Bytyqi të vrarë nga forcat serbe

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd thotë se zbardhja e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësia e atyre që kanë kryer krimin dhe fshehën vrasjen e tyre, mbetet një nga përparësitë në marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, njofton Shqip.com.

Me anë të një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare të kësaj ambasade në Twitter, thuhet se kanë kaluar 22 vjet padrejtësi për tre shtetasit amerikanë që u ekzekutuan nga forcat serbe, por asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për këtë rast.

“Kanë kaluar njëzet e dy vjet pa drejtësi për tre shtetas amerikanë që u ekzekutuan nga forcat speciale të policisë serbe. Ne nuk do ta harrojmë vdekjen e vëllezërve Bytyci, as nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. Autoritetet serbe duhet ta hetojnë plotësisht këtë krim dhe të tregojnë përparim në sundimin e ligjit”, thonë nga Ambasada Amerikane në Beograd.

Derisa u tregua se si janë gjetur trupat e pajetë të tre shtetasve amerikanë që u zhdukën gjatë ndalimit nga forcat speciale të policisë serbe, nga kjo ambasadë thonë se edhe pas më shumë se dy dekadash, nuk ka pasur asnjë hetim të plotë për këtë çështje.

“Trupat e tyre u gjetën më vonë në Petrovo selo në Serbinë lindore, në bazën e një njësie nën komandën e Goran Radosavljevic – Guri. Vëllezërit Bytyqi u qëlluan në kokë ndërsa duart e tyre ishin të lidhura pas shpine – dhe madje edhe pas më shumë se dy dekadash, nuk ka pasur asnjë hetim të plotë për këtë çështje. Ne nuk mund – dhe nuk do ta harrojmë – këtë krim”, thuhet në shkrimin e ambasadës.

“Drejtësia për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, dhe përgjegjësia e atyre që kryen dhe fshehën vrasjen e tyre, mbetet një nga përparësitë në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Qeveria e SHBA përsëri u bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar ndihmë në këtë rast për vite, për të kryer një hetim të plotë. Kjo çështje, si shumë të tjera, ilustrojnë nevojën urgjente që Serbia t’i zgjidhë hetimet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të përqendrohet në forcimin e shtetit të së drejtës”, përfundon njoftimi. /Shqip..com