“Sharing” filmi dedikuar personave me Sindromën Down

Njëzet e gjashtë vjeçarja Medina Surdulli është vajza e cila jetën nuk e lejoi asnjëherë të karakterizohet nga numri i kromozomeve në qelizat e saj.
Edhe pse e diagnostikuar me Sindromën Down, Surdulli, aftësitë e saj i tregon në shumë fusha.
Së fundmi, ajo po bëhet zëri i shumë personave me nevoja të veçanta, duke luajtur në rolin kryesor të filmit “Sharing”, që për synim ka vetëdijesimin e shoqërisë për sfidat e tyre.

Ajo thotë se të luaj në një film të tillë ka qenë edhe ëndërr e saj.
“E kam pasur ëndërr me realizu një film shumë të mirë, dhe kam pasur një përshtypje shumë të mirë për këtë film.” ka thënë Medina për SHQIP.com.
Pjesëmarrjen e Medinës në këtë film e kanë mirëpritur edhe familjarët e saj, përkrahësit më të mëdhenj të saj.
“Familja ime është gëzuar shumë, që unë kam pasur ëndërr të realizoj këtë film shumë të mirë dhe ndjejnë një gëzim të madh që më ka ardhë ftesa”, ka shtuar tutje ajo.

Gjeneza e filmit “Sharing” është diskriminimi që u bëhet në shkollë duke i ndarë nga të tjerët
“Sharing”, trajton personat me Sindromën Down, producenti i filmit Gani Demaj, thotë se kjo ide për filmi ka ardhur pikërisht për faktin që këta persona diskriminohen nga fëmijëria.
“Ideja për këtë film ka ardhur prej regjisorit Granit Dragaj, gjatë kohës kur ai ka jetuar në Klinë, i ka lënë përshtypje ku në një shkollë fëmijët me sindromën Down, kanë qenë në një klasë ndaras nga të tjerët”, tregon Demaj.
Ndërkaq, ai thotë se Medinën e njeh përmes angazhimeve të shumta të saj, dhe që ky film të prezantohet më së miri tek këta persona, kanë vendosur që pikërisht një person me Sindromën Down, të luaj rolin kryesor.
“Për t’i dhënë rëndësinë këtij filmi dhe që personat me Sindromën Down, të përfaqësohen më së miri, kemi vendosur për Medinën, sepse e dimë që ajo është shumë e angazhuar, dhe më lehtë e asociuar në media dhe me komunikim me publikun”, ka thënë ai.
Demaj, thotë se me këtë film synohet të jepet një mesazh sensibilizues e motivues për të gjithë personat me aftësi të veçanta e që u duhet guxim e shpresë për t’u inkuadruar në shoqëri.
“Mesazhi i filmit është që nga një prizëm ndryshe ti ofrojmë shoqërisë një mesazh vetëdijesimi për persona me aftësi të veçanta, të dërgojmë një mesazh inkurajues.
Ai thotë që në film synohet që përmes shoqërisë, t’u japin shpresë këtyre personave që të tregojnë aftësitë e tyre.
“Këta persona mund të ja dalin vetë, thjeshtë kanë nevojë për mundësi, e hapësirë, që të mbërrijnë por kanë nevojë për mbështetjen e secilit prej, shoqërisë, prindërve, ashtu si e thotë edhe emri “Sharing”, të japin pozitivitet, dashuri për këta persona.” ka shtuar Demaj.
Ashtu si trisomi në kromozomin 21, dhe Dita Ndërkombëtarë e Personave me Sindromën Down, më 21 e mars, do të jetë edhe premiera e këtij filmi artistik e metrazhit të shkurtë.