Lajme

Shahini: Legalizimi i punëtorëve ka bërë të duket se ka pasur vende të reja të punës

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Sahini

Legalizimi i punëtorëve e ka bërë të duke se ka pasur vende të reja të punës.

Kështu ka deklaruar, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, gjatë një intervistë, i cili ka thënë nuk ka pasur vende të reja të punës,

“Ka ndodh një tentim për të marr mbështetje nga Qeveria, ata që i kanë të punësuarit e ri. Kurse punëtorë të ri, që vlerësohet që është bërë një rritje ekonomike dhe është bërë një punësim për shkak të nevojave nuk është më shumë se 5-6 mijë brenda vitit të kaluar, punëtorë të rinj. Të tjerët kanë bërë legalizim në nga informaliteti në formale për shkak të përfitimeve që Qeveria i ka kushtëzuar me kritere, është një gjë e mirë që ka ndodh, por jo punësime të reja. Ata kanë punuar, ata vetëm janë legalizuar dhe janë formalizuar në treg të punës”, ka thënë ai.

Shahini e ka konsideruar kthesë të varfërisë shuarjen e 20 mijë bizneseve duke shtuar se nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës që brenda dy muajve mbi 100 mijë qytetarë të kërkojnë viza pune për të dalë jashtë.

“Gjithçka mund të quhet por vit i kthesës jo. Për shkak se kthesat në ekonomi janë të padukshme karshi zhvillimeve, inflacionit, rritjes së çmimeve, rritjes së varfërisë. Gjithë këto e kanë bërë që vendi jonë, qytetarëve të vendit tonë t’iu rriten aspiratat e më shumë të ikin nga Kosova. Nuk ka ndodh asnjëherë në histori që brenda dy muajve mbi 100 mijë qytetarë të kërkojnë viza pune për të dalë jashtë Kosovës dhe kjo ka ndodh në muajt e kaluar”, ka deklaruar Kryetari i AKB-së.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini

Shahini ka folur edhe për propozimet e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, i cili propozoi disa hapa për të dal nga kriza.

Kryetari i AKB-së tha se gjatë kohës sa ishte në krye të Qeverisë ai i ka pa gjërat që nuk mund t’i arrijë vetë, e për këtë arsye ka dal me propozime.

“Ato propozime mendoj që janë të mira për t’i dëgjuar dhe të mira janë për ti marrë dhe për ti diskutuar Qeveria e vendit në të mirë të qytetarit të vendit. Transparenca rreth trustit mungon, nuk dihet se ne a po hupim apo fitojmë. vitin e kaluar është mbyll me një humbje rreth 90 milionë euro të investimeve në Trust dhe për këtë nuk ka dhënë përgjegjësi askush dhe duhet të japin përgjegjësi menaxhmenti dhe drejtori i tyre. Subvencionet duhet të rriten dhe duhet të ulen kriteret në këtë kohë të krizës për bizneset për ekonominë, për fermerë për qytetarë”, ka thënë ndër të tjera Shahini.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka thënë se për shkak të krizës që ka përfshirë të gjithë botën është pothuajse e pamundur që të definohet se a janë krijuar 25 mijë vende të reja të punës.

Sipas Bellaqës, në këto shifra mund të ketë ndikuar rritja ekonomike, por edhe i eksportit, duke propozuar që të që të stimulohet prodhimi i brendshëm, duke subvencionuar produktet elementare nga shteti në mënyrë që të dilet nga kjo situatë.

“Në kohën kur ka inflacion sigurisht që ka rritje ekonomike më shumë dhe kur ngritën çmimet ka mundësi që janë krijuar vende të reja të punës po me siguri ekzekutivja ka aluduar në vitin e kaluar sepse 9.9% që ka pasur rritje ekonomike sipas raportit të Bankës Qendrore ekonomike. Pastaj me siguri iu ka referuar edhe eksportit që është rritur mbi 60%, me siguruar iu ka referuar edhe nga vetë fakti që ka pasur 30% të aktivitetit ekonomik”, ka thënë Bellaqa.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa

Ai ndër të tjera ka thënë se sfidë për këtë vit si në vendin tonë ashtu edhe në rajonin është rritja e çmimeve dhe inflacioni.

“Është e kuptueshme që rritja e çmimeve ka ndodhur që importojmë nga vendet e rajonit mirëpo edhe inflacioni është që importojmë nga vendet e rajonit qoftë produkte strategjike, duke përfshirë derivatet e naftës, gazin, drithërat, buka etj”, ka thënë Bellaqa.

Njohësi i çështjeve ekonomike ka thënë se tejkalimi i krizës gjithkush mundet nga prizmi i vetë mirëpo duhet që të ketë politika mbrojtëse.

“Duhet që të stimulohet prodhimi i brendshëm, duhet që të subvencionohen produktet elementare nga shteti në mënyrë që të dilet nga kjo situatë. Duhet të frenohen çmimet, duhet të reformohen politikat fiskale sidomos duhet të krijohet një ambient i shëndoshë i të bërit biznes”, ka thënë ai.

Jakup Bellaqa ka folur edhe për propozimet e Avdulllah Hotit për tejkalimin e krizës, që sipas tij opozita duhet të jetë aktive me ide e plane të ligjshme e që kanë për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.

“Duhet ti merr parasysh nëse e vlerëson, ku ka elemente që duhet ti marrë parasysh duhet ti marr parasysh. Duhet të ketë një agjendë shtetërore të përbashkët ekonomike, duhet të kenë një vizion të përbashkët ekonomik afatmesëm, afatgjatë si shtet”.

“Edhe opozita duhet të jetë konstruktive me ide ekonomike, të avancuara të cilën e kanë si qëllim të mbrojnë konsumatorin dhe që kanë ligjshmëri dhe që e rritin ofertën vendore dhe prodhimin e brendshëm”.