OP-ED Kolumne

Sërish vjen marsi!

Barrikadat në Jarinjë / 31 korrik dhe 1 gusht 2022
Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Ndërrimi i motmoteve Kosovën e gjeti nën hijen e ngjarjeve në veri, ku kriminelë me maska vendosën barrikada që pengonin lëvizjen e qytetarëve, e veçanërisht të serbëve të cilët jetojnë në atë pjesë të vendit.

Ata kishin arsye të shqetësoheshin më shumë, sidomos kur dihej fakti se çdo përshkallëzim të situatës do ta ndjenin fillimisht në lëkurën e tyre. Frika e tyre bëhej edhe më e arsyeshme, sidomos kur dihet se një fashist si Vuçiqi është pinjoll i kriminelëve që në të kaluarën vrisnin vet serbë që të fajësonin shqiptarët.

Siç ishte rasti i njohur dikur si “Panda”. Humbja e epërsisë në dialog, bëri që politika zyrtare e Serbisë të bëhej më agresive. E motivuar edhe nga lutjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët tentojnë (më kot) ta shkëpusin nga ndikimi i Rusisë, presidentit serb nuk i mbeti rrugë tjetër pos ta bëjë atë që përgjatë karrierës së tij ka dëshmuar se din ta bëjë më së miri – të kërkojë gjakderdhje të re. E vetmja përllogari e tij që doli të ketë qenë gabim ishte mos zmbrapsja e Qeverisë Kurti. Madje, edhe me kushtin që mos të bindej edhe ndaj kërkesave të emisarëve ndërkombëtarë.

I gjendur para një qëndrimi të palëkundur të palës shqiptare, Vuçiqi do të kuptonte shpejt se një Qeveri e cila kishte ndaluar zgjedhjet serbe në territorin e saj, kishte ndaluar mbajtjen e referendumit serb, kishte vendosur stickersa në tabela, ishte e gatshme t’i shkonte deri në fund qëllimit për shtrirjen e ligjshmërisë dhe sovranitetit në veri të vendit. Dhe, jo vetëm sa për sy e faqe, jo vetëm si improvizim i një stabiliteti të brishtë të sigurisë.

Vuçiq shpejt do të kuptonte se një lojtar si Albin Kurti nuk do të ndryshonte nga opozitari i dikurshëm që kundërshtonte kategorikisht koncesionet që i bëheshin Serbisë. Tani vetëm kishte zgjedhur një ambalazh ndryshe: të ulej në dialog, por përmes veprimeve politike të reduktonte mundësinë e kompromiseve. Madje, në raste të caktuara edhe mosbindje.

Kurti deri më tani u soll siç i ka hije një kryeministri të shtetit sovran. Përmes veprimeve të tij ai u mundua që kritikëve t’ua shpjegojë se asnjëherë partneriteti, aleanca, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është cenuar, nuk është rrezikuar. Përkundrazi, përmes mënyrës së politkbërjes bëri të qartë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç së e kanë njohur edhe ndërmjetësojnë midis Prishtinës e Beogradit, shpeshherë në emër të vullnetit të mirë, mund të shtrojnë ndonjë kërkesë e cila paraqitet si ide për kompromis.

Por, se i takon Qeverisë së Kosovës ta zbatojnë nëse e konsiderojnë të arsyeshme. Dhe se kjo nuk nënkupton të drejtën që të vendosim për veten tonë. Në të kundërt, vet shtetësia e Kosovës dhe vendimmarrja do të ishte asgjë më shumë sesa një iluzion.

Pra, me pak fjalë, Kurti me veprimet e tij bëri të ditur se udhëhiqet nga idealet amerikane, por nuk mund të presim që SHBA-të në diskurs ta mbrojnë Kosovën më shumë sesa vet ne.

Gatishmëria e Kurtit për të diskutuar një marrëveshje të re, me propozim të Gjermanisë dhe Francës, e të mbështetur nga SHBA, ka alarmuar Vuçiqin i cili së shpejti do të ballafaqohet me gënjeshtrat që ia ka shitur popullit të tij.

Marrëveshja potenciale e cila përfshin koncepte universale si hyrje të këtij propozimi, integriteti territorial, sovraniteti, pavarësia, barazia, sundimi i ligjit, demokracia, vetëvendosja, është “Thembra e Akilit” për një autokrat siç është Vuçiqi, i cili e din se marsi i këtij viti do të sjellë një kthesë të re në zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan. Kthesë që do të zhveshë një herë e mirë maskat e atyre që me vite e gënjyen popullin e tyre.

Andaj, përballë Serbisë do të duhej të ishte një politikë e unifikuar ku do të zhdukeshin dallimet midis pozitës dhe opozitës. E kundërta i bën shërbim veç atyre që duan ta minojnë paqen e brishtë në Ballkan.

/Shqip.com