Sërish protestë për tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti

Adnan Jashari, organizator i protestës për tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional, Trust, ka njoftuar se sërish do të protestohet për këtë çështje.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Jashari përmes një postimi në Facebook.
Sipas njoftimit, protesta do të mbahet të enjtën më 16 qershor me fillim nga ora 12:00.
“Së bashku me punëtorët e sindikatës së KEK-ut, dhe me qytetarët nga e gjithë Kosova, këtë të enjte më 16 qershor protestojmë për kërkesën tonë për tërheqje deri 30% të Trustit! Nisja nga Sheshi “Zahir Pajaziti – marshojmë deri tek Kuvendi i Kosovës, Sheshi “Ibrahim Rugova” -Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Theksojmë se dhjetëra qytetarë kanë protestuar më 26 maj.
Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që në seancën kur do të vijë për votim ky Projektligj, ta votojnë “siç i votuan ata për deputetë”.
“Unë të votova ty, ti votoje Trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve në këtë protestë.
Të pranishëm në protestë ishin edhe deputetë të partive opozitare, PDK, LDK e AAK./Shqip.com