Sport Ndërkombëtar

Sergi “Remontada” mbetet te Barça

I shumëkritikuari për performancat e dobëta do të qëndrojë në “Camp Nou”

Sergi Roberto ka nënshkruar të premten kontratën e re me Barcelonën deri në vitin 2023.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi përmes faqeve të tyre zyrtare.

Në fillim u mendua se ai nuk ishte më në planet e blaugranave, por doli të jetë e kundërta.

Vazhdimi i tij mund të jetë i lidhur ngusht me krizën financiare që e ka kapluar Barçën.

Sipas raportimeve, 30 vjeçari ka pranuar një shkurtesë page prej 60 për qind nga sa kishte fituar me kontratën e vjetër.

Përndryshe, Roberto ishte tejet i pafat përgjatë sezoneve të fundit pasi ishte i përcjellur vazhdimisht nga lëndimet që e mbanin larg fushave.

Goli i Sergi Robertos ndaj PSG-së, 2017

Spanjolli është figurë e dashur për tifozët e klubit – tani ndoshta jo dhe aq – për golin vendimtar që e kishte shënuar ndaj PSG-së, në Ligën e Kampionëve.

Atëbotë, me Neymar dhe Messi-n në skuadër, Barcelona mposhti parisienët 6-1 për të kaluar për të rikthyer rezultatin e ndeshjes së parë (4 – 0). /Shqip.com