Serbia pasivizon adresat e shqiptarëve, Lutfiu dhe Kamberi bisedojnë me Lajçak për sfidat e Luginës
Kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar (KNSh), Nevzad Lutfiu bashkë me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin kanë takuar emisarin e Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak me të cilin kanë biseduar për sfidat nëpër të cilat po ballafaqohen shqiptarët e Luginës.
Këtë e bëri të ditur Lutfiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebok duke shkruar se ata e informuan Lajçakun edhe për mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore.
“E njoftuam Lajçak për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve.
Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”, tha Lutfiu.
Ai po ashtu tha se Lajçakun e kanë njoftuar edhe për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën.
“Mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Prandaj edhe komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend.
Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vëshirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë.
E ardhmja evropiane duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe pakicave duhet të jenë parakusht esencial i vazhdimit të rrugës së mëtejme drejt Bashkimit Europian”, ka shkruar Lutfiu.
/Shqip.com