Lajme

Serbia nuk u dha leje Bislimit e Sveçlës ta vizitonin Preshevën, Arifi e Kamberi s’ishin në dijeni

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i MPB-së Xhelal Sveçla

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla iu është ndaluar vizita për në Komunën e Preshevës nga ana e autoriteteve serbe.

Kështu ka thënë për Shqip.com kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi.

Siç sqaron Mustafi “vizita ka qenë e paraparë dhe e përgatitur për të hënën, porse është anuluar për shkak se të njëjtëve iu është refuzuar leja”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi

Ai tha se Bislimi dhe Sveçla në agjendë kishin për të takuar përfaqësuesit institucional e politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ata, do të takoheshin edhe me “bizneset, shoqatat, organizatat jo qeveritare dhe personalitetet  e shquara”, tha Mustafi.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha për Shqip.com se nuk ka qenë i informuar për vizitën e mundshme të Bislimit dhe Sveçlës.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi

“Nuk kam pas informacion për këtë vizitë”- u shpreh shkurt Arifi.

Në dijeni nuk ishte as deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Shaip Kamberi – deputet në parlamentin e Serbisë

Ai i tha Shqip.com se askush nuk e ka njoftuar për këtë vizitë.

Madje, thotë se lajmin e mori vesh nëpërmjet raportimeve nga mediat./Shqip.com