Sekretari organizativ i PDK-së për Kurtin: Zgjodhi pushimet para qëndrimit afër të qytetarëve në Deçan
Sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se Kurti ndodhet para dy dilemave.
Sipas tij dilemat e tij janë, “të vazhdojë pushimet në Greqi”, apo “të kthehet në Deçan”, ku dyshohet se 1.500 qytetarë janë helmuar.
“Në momentin e parë që u ndodh para dilemës (1) të vazhdojë të qëndrojë në hotelin luksoz apo (2) të kthehet në Deçan te qytetari i thjeshtë, i zakonshëm, i varfër, i helmuar – Albin Kurti vendosi të mos e prish rehatinë e tij. Ai nuk mori mundimin t’i lëviz këmbët”, ka thënë Gjoshi.
Albin Kurti po qëndron në një vizitë zyrtare në Athinë, por ka pasur raportime se “ai po pushon me familjen e tij”.
Opozita e ka kritikuar për moskthimin në Kosovë pas dyshimit se në Deçan janë helmuar shumë qytetarë. /Shqip.com