Lajme

Kuvendi ratifikon disa marrëveshje ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kuvendit të Kosovës i erdhi një deputet i ri, pasi Uran Ismaili e dorëzoi mandatin që t’i përkushtohet garës për Prishtinën.

Kështu ai u zëvendësua nga Hisen Berisha i Partisë Demokratike të Kosovës.

Më pas, pasoi debati në Kuvend për targat; marrëveshje e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Ata që kanë pritur marrëveshje përfundimtare mund të ndjehen zhgënjyes sepse secila marrëveshje e as kjo nuk mund ta sjellë njohje, por defacto e sjell njohjen nga Serbia. Kjo marrëveshje ka një të metë që është dashtë të vendoset më herët”, ka thënë deputetja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollqaku.

Por, Abelard Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Gashi prej Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Bekë Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – kritikuan Qeverinë për marrëveshjen.

Ata thanë se janë barazuar Njësitet Speciale me serbët lokalë që vendosën barrikadat.

Opozita ishte një zëri që “marrëveshja e Brukselit e cenon reciprocitetin e vendit”.

Madje, Tahiri i PDK-së kishte në duar edhe targat “KM”, të cilat opozita i kundërshton.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Më pas erdhi edhe përgjigja e zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

“Marrëveshja u cilësua nga ju si më e dëmshme se Zajendica, më e dëmshme se ajo për Energji e Drejtësi, më e dëmshme se bisedimet për ndarjen e Kosovës”.

“Një e vërtetë e madhe është se kjo marrëveshje është krejt ndryshe nga ato paraprake. Ata që marrëveshjet paraprake i shohin të mira, nuk kanë si ta shohin këtë marrëveshje si jo të keqe”, është shprehur Bislimi.

Por, nuk ishte marrëveshja e Brukselit e vetmja çështje që e përplasi pushtetin me opozitën – është diskutuar edhe për projektin e gazit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është sqaruar lidhur me tërheqjen e Kosovës nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC).

“Nuk ka qenë e qartë se cili do të jetë efekti në çmimet për konsumatorët, sipas disa përllogaritjeve që i kemi marrë 40 euro për një megaëatt ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit, që është më e shtrenjtë 30% sesa kosto aktuale e prodhimit të energjisë që e kemi”, është shprehur Rizvanolli.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pyetur kryeministrin Kurti për rritjen e importeve nga Serbia.

Përgjigja erdhi nga kryeministri, Albin Kurti, i cili ka thënë se synojnë që të ulin importet nga Serbia, derisa ka shtuar se “kemi strategji të qartë të marrëdhënieve tona tregtare në të ardhmen”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu, gjatë kësaj seancë, Kuvendi ka ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë atë për financim shtesë të COVID-19

Gjithashtu është miratuar programi kombëtar për zbatimin e MSA-së si dhe plani i veprimit për ERA 2. /Shqip.com