Lajme Botë

Së shpejti shërbime fetare islame edhe në Bundeswehr

Eva Högl është kryetare e Komisionit për Forcat e Armatosura tëBundestagutGjerman. Detyra e saj është të dëgjojë shqetësimet dhe nevojat e ushtarëve gjermanë. Në mes të marsit, Högl prezantoi raportin e saj të tretë vjetor si komisionere për çështjet ushtarake. Me rastin e prezantimit, ajo bëri thirrje përsëri për futjen e kujdesit fetar për muslimanët në ushtri.

Pavarësisht se cila parti e ka emëruar ministrin e Mbrojtjes në Gjermani, shpjegimi politik ka qenë gjithmonë: Nuk funksionon, ka mungesë të njerëzve nga pala myslimane. Por kjo nuk mjafton më për socialdemokraten Högl. Ajo është shumë kritike.

“Mungesa e kujdesit të barabartë fetar për ushtarët e besimit islam është jashtëzakonisht e pakënaqshme”, thotë ajo. Prandaj ajo i bëri thirrje Ministrisë së Mbrojtjes që të vendosë shpejt kujdesin fetar përmes personelit përkatës në bazë të kontratës për shërbime.

Högl kujton misionin e ndihmës së ushtrisë gjermane që zgjati disa javë në Turqinë juglindore pas tërmetit shkatërrues në shkurt të vitit 2023.

Në atë kohë, në operacionin e shpëtimit morën pjesë edhe ushtarë myslimanë. Megjithatë, kujdesi fetar në misione u ofrua nga dy klerikë ushtarakë jomuslimanë.

Një peticion drejtuar Komisionit të Forcave të Armatosura tregon se “anëtarët eBundeswehr-it të besimit islam ndonjëherë janë ndjerë të lënë pas dore në lidhje me praktikën e tyre fetare”.

Presioni i partive në pushtet

Por tre anëtarët e pative të koalicionit në pushtet në Berlin tani shohin një situatë ndryshe. Nënkryetari i grupit parlamentar të FDP në Bundestag Konstantin Kuhle, zëvendëspresidentja e Bundestagut Aydan Özoguz (SPD) dhe Filis Polat, nga ekologjistët, i bënë thirrje qeverisë federale në maj 2023 që të vendosë kujdesin ushtarak islamik në Bundeswehr. Kujdesi fetar për myslimanët duhet të ketë “një prioritet të lartë për ne”, thanë ata. Të tre kujtojnë se të diplomuarit e parë të Kolegjit Islamik të Gjermanisë (Islamkolleg Deutschland – IKD), në Osnabrück përfunduan trajnimin e tyre për shërbim fetar islam në gjuhën gjermane në shkurt 2023.

Dy muaj më vonë, sipas informacioneve të Deutsche Welle, për këtë çështje është deklaruar edhe ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. Ai tha se kjo temë është veçanërisht e rëndësishme për të. Kjo është arsyeja pse ai tashmë ka miratuar futjen e një “oferte fetare” të përshtatshme për myslimanët në ushtrinë gjermane. Kjo, siç tha ai më tej, duhet të ndodhë gjatë mandatit të kësaj qeverie. Ministria e Mbrojtjes është, sipas ministrit, në kontakt me Kolegjin Islamik lidhur me këtë çështje.

Kolegji Islamik, i themeluar në fund të vitit 2019, nuk është i vetmi vend në Gjermani ku trajnohen imamët dhe stafi fetar islam, për të shërbyer në Gjermani. Por politikanët mendojnë se ky Kolegj është më i përshtatshmi.

“Nuk ka ushtarë të klasit të dytë”

“Për vite me radhë kemi dëshiruar vendosjen e kujdesit fetar për myslimanët në ushtri”, tha drejtori i IKD-së, Buelent Ucara për Deutsche Welle-n. Pedagogu fetar islam në mënyrë eksplicite i referohet shqetësimit aktual fetar në rritje për hebrenjtë në ushtri.

Pala myslimane do të donte të kishte “burime materiale dhe personel të njëjtë ose të ngjashëm sikur ata”. Këto çështje nuk duhet domosdoshmërisht të rregullohen me një traktat ndërkombëtar, por ato duhet të sqarohen menjëherë. Punonjësit myslimanë në Bundeswehr “nuk janë ushtarë të klasit të dytë apo të tretë”, paralajmëron Ucar, i cili ka lindur në Oberhausen. Shteti, thotë ai, duhet të sigurojë kujdes fetar edhe për myslimanët.

Që nga mesi i marsit, një ekspert i ministrisë ka paraqitur një ofertë të veçantë të kujdesit fetar për myslimanët në Bundeswehr, tha për DW një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes. Ky “fillim themelor”, siç tha ajo, synon të zgjerojë kujdesin ekzistues fetar. /DW

/Shqip.com