Lajme Botë

Scholz e Macron pritet të përmisojnë marrëdhëniet mes vete

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të synojnë të rifillojnë marrëdhëniet e tyre problematike me një ceremoni të madhe të dielën, pasi zhgënjimi i përbashkët për një ligj të ri amerikan i ndihmon ata të kapërcejnë dallimet.

Parisi dhe Berlini kanë qenë në mosmarrëveshje muajt e fundit lidhur me mbrojtjen, energjinë dhe financat, si dhe paketën e diskutueshme 200 miliardë euro të Scholz-it për lehtësimin e çmimit të energjisë, e cila u njoftua vjeshtën e kaluar pa përfshirë më parë qeverinë franceze.

Këto tensione arritën kulmin kur Macron kundërshtoi Scholz -in duke anuluar, në një mënyrë të paprecedentë, një konferencë shtypi të planifikuar me liderin gjerman në tetor.

Samiti franko-gjerman i së dielës, i cili bashkon të dy kabinetet, si dhe një grup parlamentarësh nga të dy vendet në Paris, vjen gjithashtu mes presionit në rritje nga Kievi për t’u siguruar forcave ukrainase mjetet për të luftuar kundër agresionit të Rusisë.

Ukrainasit duan tanke, në veçanti tanket gjermane Leopard 2, por ata i kanë bërë thirrje edhe Francës që të dërgojë tanke Leclerc.

Mbledhja e të dielës zhvillohet saktësisht 60 vjet pas nënshkrimit të traktatit midis Gjermanisë dhe Francës për të vulosur pajtimin mes dy vendeve pas Luftës së Dytë Botërore.

Përpara samitit të së dielës, një zyrtar i Pallatit Elysée tregoi se marrëdhëniet ishin përmirësuar midis Scholz dhe Macron, raporton Politico.

/Shqip.com