SBAShK-u ka mirëpritur vlerën e koeficientit në ligjin e ri të pagave

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka mirëpritur vlerën e koeficientit prej 105 eurosh të përcaktuar në ligjin e ri të pagave.
Sipas një njoftimi për media thuhet se: “Duke pas parasysh që një kohë të gjatë jemi angazhuar dhe kemi kërkuar në vazhdimësi që Ligji i pagave të jetësohet dhe pasi falë përkushtimit e angazhimit kishim arritur që të kemi një pozitë sa më të mirë në këtë Ligj dhe bazuar në koeficientet kjo edhe ishte arritur që të punësuarit në sistemin arsimor u ranguan në mes të koeficienteve 30-35%, posaçërisht punonjësve të Arsimit Parauniversitar, e në veçanti punëtorëve teknik dhe administrativ si dhe çerdheve”.
Tutje, sipas këtij njoftimi, ky rangim ka bërë që vlera e koeficientit prej 105 euro, e cila nuk i plotëson pritjet tona por ajo mundëson që mbi 90 % e anëtarësisë tonë kanë një rritje page mesatare rreth 100 euro.
“Të nderuar anëtarë të SBAShK-ut jemi të vetëdijshëm se kjo vlerë e koeficientit nuk plotëson pritjet e as nevojat duke marr parasysh ngritjet e çmimeve por edhe koston e jetesës në përgjithësi, por megjithatë SBAShK-u për momentin mendon që ligji duhet të fillon zbatimin me pagat e muajit shkurt 2023 dhe të metat eventuale të ligjit të përmirësohen gjatë kohës sa është duke u zbatuar ligji”, thuhet në këtë komunikatë.
“Gjithashtu, me qëllim të informimit të saktë të anëtarësisë dhe opinionit të gjerë japim sqarim se në këto faza nuk ka pas asnjë konsultë për caktimin e vlerës së koeficientit dhe as nuk është kërkuar nga asnjë organ pëlqimi ynë.
Pra, SBASHK-u nuk ka ndërmend të dërgoj ankesë te Avokati i Popullit për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në fund të komunikatës nga SBAShK-u.
/Shqip.com