Lajme

SBASHK nuk tërhiqet nga 100 eurot, Jasharaj: Kurti na bullizoi, takimet tani e tutje do mbahen në praninë e mediave

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari

Sindikata e Bashkuar e Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) nuk është zbrapsur nga kërkesa e tyre për 100 euro shtesë.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Ai tha për Shqip.com se në letrën drejtuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj kanë kërkuar që karshi shumës 50 euro të shtohen edhe disa përqindje.

“Kam informata se SBASHK-u i ka kthy një letër Avokatit të Popullit por sigurisht ndonjë media e ka lexu gabimisht ndonjë nga pikat që SBASHK-u ia ka drejtuar.

Letra nga SBASHK-u dretjuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj

Nga asnjëra prej kërkesave nuk jemi tërhequr. SBASHK-u mund të ketë bërë ndonjë ndryshim që karshi vlerës së pakos 50 euro, kësaj vlere t’i shtohet edhe përqindja e ngritjes ekonomike dhe ajo e inflacionit për këtë vit dhe të vazhdohet edhe per vitin e ardhshëm”, u shpreh ai.

Jasharaj shton se Qelaj “nën efektin e emocioneve dhe entuziazmit ka deklaruar se do të ketë marrëveshje” derisa thotë ne nuk janë telefonuar nga ky i fundit.

Kryeministri, Albin Kurti

I ashpër u tregua edhe ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti nga i cili thotë se janë bullizuar.

E për këtë, Jasharaj deklaron se kanë vendosur që takimet mos t’i zhvillojnë më me dyer të mbyllura.

“Kurse Kurti në vend se të angazhohet, ai filoi të na bullizoj. Takimet tash e tutje nuk do të mbahen më pa praninë e mediave dhe do të shihet nga ana e popullit se kush po angazhohet seriozisht”, përfundon Jasharaj për Shqip.com.

Cilat janë kërkesat e mësimdhënësve?

Mësimdhënësit po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj./Shqip.com