Lajme

Sarrazin: S’mund të presim gjatë, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë marrëveshje

I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Në intervistën dhënë për mediumin serb KIM Radio, ai ka thënë se Kosova duhet të nis formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, serbët duhet të kthehen në institucionet dhe dyja vendet duhet të vazhdojnë të diskutojnë për dokumentin për marrëveshje i njohur ndryshe si dokumenti franko-gjerman.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak. Tani është koha që të dyja palët të vijnë në tryezën e bisedimeve dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive. Duhet të dalim nga regjimi i krizës dhe nga retorika e ndarjes.

Arritja e një marrëveshjeje më të gjerë, do të jetë në të mirë si për popullin e Kosovës ashtu edhe për Serbinë, dhe do të sjellë stabilitet rajonal që mund të krijojë perspektiva të reja, duke përfshirë investime të reja dhe vende pune. Për këtë qëllim, Përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak udhëtoi në Beograd dhe Prishtinë ditët e fundit” ka deklaruar Sarrazin.

Ai ka thënë se pret nga Serbia që të luajë një rol konstruktiv në këtë dhe të përmbahet nga retorika e mëtejshme përçarëse.

Sa i përket zgjedhjeve të planifikuara të mbahen në komunat veriore, pas dorëheqjeve, Sarrazin ka thënë se paraprakisht duhet të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë.

“Zgjidhja e problemit mund të gjendet vetëm nëse serbët e Kosovës kthehen urgjentisht në institucionet e Kosovës. Kjo pjesë thelbësore e marrëveshjeve ekzistuese duhet të respektohet. Ne presim që Lista Serbe, si të gjitha partitë e tjera politike në Kosovë, të luajë një rol konstruktiv në formësimin e së ardhmes së Republikës multietnike të Kosovës. Jam thellësisht i shqetësuar për dhunën e fundit ndaj zyrës zgjedhore komunale në veri të Kosovës dhe ndaj policisë.

Këto zhvillime të fundit tregojnë seriozitetin e situatës. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna e mëtejshme, të mos përkeqësojnë situatën. Kam mirëkuptim të plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë për dhunën dhe retorikën nacionaliste që kemi dëgjuar nga Serbia javët e fundit, si dhe sulmet personale, shpifëse ndaj individëve që janë të papranueshëm”, ka deklaruar Sarrazin.

Diplomati gjerman u ka bërë thirrje qytetarëve serb që të shfrytëzojnë të drejtat që u jepen në Kosovë.

Ndërkaq, ka kërkuar nga institucionet kosovare që të respektojnë vendimet e nxjerra nga Gjykata Kushtetuese, siç është rasti me pronësinë e tokës së Manastirit të Deçanit.

Sarrazin ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare nuk mund të pres më gjatë që Kosova dhe Serbia të arrinin një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

/Shqip.com