Lajme

Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi në Hagë

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa

Trupi gjykues në Gjykatën Speciale në Hagë, ia ka vazhduar paraburgimin ish-kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, transmeton Shqip.com.

Kështu ka bërë të ditur shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Angela Griep, përmes platformës online “Zoom”, ku tha se ky vendim është marrë të martën.

Sipas saj, gjykatësit konstatuan se ekziston ende rreziku që i akuzuari të pengojë ecurinë e procesit të Dhomave të Specializuara me anë të ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët.

“Ligji parasheh që gjykatësit të rivlerësojnë çdo dy muaj nëse ekzistojnë ende arsyet për mbajtjen në paraburgim të të akuzuarit. Këto arsye mund të jenë rreziku i arratisjes, rreziku i pengimit të procesit penal ose rreziku i kryerjes së të njëjtës vepër penale ose një vepre tjetër penale”, ka thënë ajo, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Gjithashtu, ka thënë se ditën e martë, me kërkesë të gjykatësve, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi renditjen e re të dhënies së dëshmive prej dëshmitarëve për muajt janar dhe shkurt dhe vendosi të mos thërrasë një prej dëshmitarëve që kishte parashikuar fillimisht.

Kjo pasi dëshmitarët e mëparshëm kanë dhënë tashmë të njëjtën dëshmi dhe tha se seanca e ardhshme për këtë çështje do të mbahet më 13 dhjetor 2021, në orën 09:30. /Shqip.com